Këngëtarja e njohur shqiptare, Filloreta Raçi, e njohur ndryshe si Fifi, ka komentuar për herë të parë përjetimet e saj në edicionin e parë të BBV, dhe momentin kur i ra të fikët, që ndërpreu dhe rrugëtimin e saj.
Më një rrëfim në “S’e Luan Topi”, ajo tha mes lotësh se e ka përjetuar shumë keq mënyrën se si publiku e trajtoi ngjarjen, ndërsa ka treguar se një moment i vështirë ka qenë kur ishte shtatzënë, një periudhë delikatë për të, ku dhe “memet” shpërthyen në rrjete sociale.
Po ashtu ajo foli edhe për faktin e mbajtjes së fshehtë të shtatzënisë, ku tha se kishte frikë se do ta përdornin sërish kundër saj.
“Rënia e të fikëtit që më ndodhi u mor dhe u hiperbolizua, u shkatërrua. E bënë parodi dhe thanë që nuk më ra të fikët kurrë, por bëra vetë. Ishte e dhimbshme, e frikshme. Ishte edhe një periudhë që unë isha shtatzënë, dhe kur e kam parë kam thënë pse ta përdorin sërish. Nga ana tjetër po të thoja që isha shtatzënë, nuk mundesha dhe nuk doja ta tregoja, sepse nuk ngela shtatzënë për njerëzit, për social media.
Unë ngela shtatzënë sepse atë e kishte caktuar Zoti dhe për veten time. Zoti është i madh dhe nuk harron kurrë, nuk më ka lëshuar kurrë deri në greminë. Zoti më ka sprovuar për të më parë sa e fortë që jam dhe unë e di që jam e fortë dhe nuk dorëzohem kollaj. Madje unë e di që këto lotët e mi sot do të paragjykohen sërish”, tha Fifi.
Ndër të tjera artistja tregoi se gjithçka është gjykuar në bazë të videove të shkurtra që qarkullonin në rrjete sociale.
“Është një problem, ata të cilët kanë gjykuar se Fifi ka qenë toksike, mashtruese dhe psikopatë, ata nuk e kanë parë farë Big Brother VIP, por kanë ndjekur vetëm videot e shkurtuara në rrjete sociale, Ajo është ajo që produksioni do të shesë. Nuk mundesh ta paragjykosh, një libër nga kopertina, këtë kanë bërë njerëzit me mua”, u shpreh ajo.
Fifi tregoi se i ka rënë në të vërtetë të fikët dhe nuk është shtirur. E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e fjalëve të opinionistes së “BBV1”, Balina Bodinaku.
“Momenti më i vështirë që unë kam pasur aty brenda ka qenë kur më kanë thënë që të ka humbur vëmendja dhe po mundohesh të kapesh me njerëzit sepse nuk ke vëmendje. Debati që kam pasur me atë njeri (Balina Bodinaku) më shqetësoi shumë. Më bëri të kuptoj se njerëzit jashtë më urrejnë, unë nisa ta mendoj që po më prisnin të më ekzekutonin.
Për këtë e lus perkusionin, që të merrni një njeri që e kanë kaluar këtë eksperiencë jo dikë që jep opinione që nuk ka përjetuar gjëra. Nuk e mbarova gjithë rrugëtimin, mua më ra të fikët edhe jam larguar nga ajo shtëpi. Më vrau opinioni i njerëzve se çfarë po ndodh jashtë. Nëse nuk do të më kishte rënë të fikët unë do kisha vazhduar rrugëtimin. Gjithçka ka ndodhur prej komentit, emocionet e forta të këqija i përjetova”, tha Fifi.