Disa ditë më parë u raportua se një vajzë 23-vjeçare, me probleme të shëndetit mendor, me nënshtetësi të Shqipërisë, u dhunua seksualisht në komunën e Pejës në Kosovë.
23-vjeçarja pasi ishte gjetur, ishte dërguar në Emergjencë për kontroll mjekësor, nën dyshimin se ajo ishte dhunuar. E reja nga Shqipëria ishte dërguar më pas për ekzaminim edhe në Institutin mjeko-ligjor.
Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se për këtë rast janë arrestuar dy persona.
“Pas një pune intensive operative nga Policia e Kosovës, me autorizimet e Prokurorit të Shtetit sot janë arrestuar dy persona. Të njëjtit janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit për veprën penale “Dhunimi”.
Gjithashtu Prokurori ka urdhëruar që të sekuestrohet vetura me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe të sigurohet vendi i ngjarjes, ku dyshohet se është kryer kjo vepër penale”, ka zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë Shkodran Nikçi.
Mediat e Kosovës, shkruajnë se njëri nga të arrestuarit dyshohet të jetë babai i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Veton Berishës.
Ne kemi kontaktuar me ish-deputetin që vjen nga radhët e komunitetit egjiptian. Ai e ka kofirmuar se është njoftuar nga fqinjtë për arrestimin e prindit, por nuk kishte dijeni për diçka më shumë.
“Pasha besën qetash janë duke më thirrë kojshitë, unë jam në Prishtinë. Jam kanë në Zvicër, unë nuk kam asnjë infomacion” “Nuk po muj me marrë në telefon… se kam askënd une atje. Nanën e kam këtu, baba është në Pejë. Kojshitë më thirrën, nuk është Shabani ksajde e tash po nisna për Pejë ta shoh se çka është puna…Baba i ka 65-66 vjet” – i ka thënë ish-deputeti Berisha.