Për të dytën herë, ish- ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u mor në pyetje për afro 10 orë rresht nga Prokuroria e Posaçme.
“Siç e dini që nga data 20 nëntor jam një person në hetim për sterilizimin. Patëm një seance pyetjesh me oficerin e policisë gjyqësore. Kryesisht për ato gjëra që jam pyetur më parë. Bashkë me avokatin kërkuam që të bëhen dhe disa veprime hetimore shtesë… për kohën kur unë nuk kam qenë ministër”, ka thënë ai për kamerat menjëherë pasi la dyert e Prokurorisë Speciale.
Ilir Beqaj u paraqit sot në orën nëntë të mëngjesit, për të sqaruar rolin e tij në koncesionin e sterilizimit, për të cilin SPAK po e heton e ka kërkuar masën “detyrim paraqitje”.
Ka qenë gjyqtari paraprak i çështjes Erion Bani, ai i cili në vendimin e arsyetuar u shpreh se nuk mund të kishte vendosur një masë më të rëndë sigurisë sesa ajo e kërkuar nga dy prokurorët e çështjes.
Ilir Beqaj dyshohet të ketë kryer shpërdorim të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e Shëndetësisë që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.