Me kujtimin e Dwamena-s ende të freskët, pasi i kryen homazhet e fundit, Egnatia dhe Partizani e nisën aty ku e lanë, në minutën e 25-të me rezultatin 1-1. Dy ekipet prodhuan një futboll fantastik, me raste për shënim, por në fund askush nuk festoi duke ndarë nga një pikë pas barazimit 1-1. Pas 6 fitoreve radhazi, 5 me Abilaliaj në stol, të kuqtë ndalen për herë të parë, pikërisht kundër atyre që shihen si rivalët kryesor në garën për titullin kampion.
Sfida nisi zjarr, ku Paulaskas me kokë flirtoi me golin, kthesa e tij brenda në zonë shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Partizani i përgjigj në të njëjtën formë, ku Sembene i vetëm në zonë, me kokë, nuk arriti të ul topin në kuadrat. Dy ekipet nuk e ulën ritmin në asnjë minutë deri në vërshëllimin e gjyqtarit të takimit që dërgoi ekipet në dhomat e zhveshjes.
Historia nuk ndryshoi as me fillimin e pjesës së dytë, ku Xhemajli shpërdoroi një rast të pastër për të kaluar Egnatian në avantazh, i vetëm përballë Qirkos nuk arriti të devijoi topin në rrjetë. Partizani iu afrua golit të avantazhit me një aksion fantastik, por Rrapaj u ndal në fund nga portieri Sherri. Mensah kishte një tjetër shans të artë për të kaluar Partizanin në avantazh, por humbet kohë, me Mustën që i largoi topin nga këmbët në momentin e fundit. Frikë për Bytyçin i cili në minutën e 83-të doli nga fusha mes lotësh pas një dëmtimi të pësuar në gju.
Në fund, Egnatia shtoi presionin në zonën e “demave” duke iu afruar golit të avantazhit në dy raste të pastra, por Qirko në super formë mbajti portën të paprekur duke i dhuruar Partizanit një pikë me shumë peshë në një transfertë shumë të vështirë. Nuk ndryshon renditja me dy ekipet që qëndrojnë në kuotën e 27 pikëve, por të kuqtë kanë një ndeshje me pak.