Dy të burgosur shqiptarë, një çift, nuk u kthyen në burgun e Pesaros pas një dite pune të kaluar në një kompani bujqësore në San Bartolo.
Dy të burgosurit, të cilët jetojnë në zonën e Ravenës, kishin fituar mundësinë për të punuar jashtë burgut pikërisht për sjelljen e tyre të mirë, sipas mediave italiane.
Bëhet fjalë për 43-vjeçarin Emilian Bici, i burgosur për tentativë vrasjeje dhe 38-vjeçaren Ermelinda Spahiu, e akuzuar për të njëjtën vepër penale.
Bici dhe Spahiu, së bashku me një person të tretë (gjithnjë shqiptar) akuzohen për goditjen me thikë të një 57-vjeçari para një lokali në Punta Marina.
Siç është rikonstruktuar nga karabinierët që kanë kryer hetimet, mbrëmjen e ngjarjes 57-vjeçari i sulmuar ka qenë në lokal duke pirë një gotë verë, kur në një moment kanë mbërritur tre të tjerët.
Teksa u njohën, filloi një bisedë, e cila më pas çoi në një debat sepse viktima nuk pranoi t’i ndihmonte ata të gjenin strehim.
Shpejt sherri degjeneroi dhe burrat e kanë goditur 5 herë me thikë 57-vjeçarin, ndërsa gruaja, sipas prokurorisë, e ka mbajtur atë.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2018. Pas hetimeve doli se tre shqiptarët ishin pjesë e një grupi të specializuar për vjedhje dhe grabitje.
Pas arratisjes së tyre nga burgu, policia italiane ka filluar kërkimet.
Drejtoresha e burgut Villa Fastiggi, Palma Mercurio sqaroi se asnjëri prej të dyve nuk mbante byzylyk elektronik teksa punonin./albeu.com