Gjykata e Lartë refuzon rekursin, Vangjush Dako mbetet në qeli

Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

20 tetor 2023, Dako  ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm që e la në burg.

Ndaj Vangjush Dakos, 4 ish-zyrtarëve të Drejtorisë së urbanistikës së Bashkisë së Durrësit, dhe ish-Drejtorin Adhurim Qehajaj, pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Farruku, u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për tre nëpunëse gra u vendos masa e ‘arrest shtëpie’.

Dako u arrestua më 6 qershor 2023 me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Në pranga ranë edhe 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë  së Durrësit si dhe 1 ndërtues.

Ish-kryebashkiaku dyshohet se ka shpërdiruar detyrën në dy raste.

Rasti i parë ka të bëjë me dhënien e një lejeje ndërtimi në vitin 2011 për një pallat, në lagjen numër pesë, në qendër të Durrësit që u dëmtua nga tërmeti tragjik i 2019-ës. Sipas dosjes hetimore, pallati kishte 4 kate pa leje dhe se legalizimi i objektit ishte kryer në shkelje të ligjit.

Ndërkohë, rasti i dytë kundër Vangjush Dakos ka të bëjë me një kallëzim për tenderin e shëtitores që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, llogaritet se i është shkaktuar buxhetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Nën akuzë bashkë me Vangjush Dakon, janë dhe nëntë persona të tjerë pjesa më e madhe e të cilëve ish-zyrtarë të bashkisë së qytetit bregdetar./albeu.com


Shtuar 16.11.2023 14:49