Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka shkuar sot në SPAK. Siç shihet nga pamjet, ai shoqërohej nga avokati Theodhori Sollaku.
Ndaj tij vijon hetimi për falsifikim të formularit të dekriminalizimit pasi Hajdari nuk kishte dekluar në formularin e vetëdeklarimit, një dënim nga Gjykata e Janinës me masë qortuese për kalimin e paligjshëm të kufirit në Greqi, kur ishte i mitur.
Kujtojmë se ditën e djeshme, KQZ u mblodh për të vendosur nëse do t’i hiqte apo jo mandatin Hajdarit pasi drejtësia greke i përcolli ministrisë sonë të Drejtësisë vendimin ku faktohej se kryebashkiaku ishte i dënuar nga Gjykata e Janinës.
Komisioneri Celibashi vendosi se nuk ka shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati.
Kështu, Hajdari i cili u rizgjodh në krye të bashkisë më 14 maj 2023 do të vijojë të qeverisë Kuçovën për 4 vitet e ardhshme./albeu.com