Pjesët e trupit të një njeriu u gjetën mbrëmjen e djeshme, 14 nëntor, në fshatin Xarrë të Sarandës.
Ishin banorët ata që konstatuan pjesët trupore të groposura në fshat dhe lajmëruan menjëherë policinë.
Të lidhura
Pasi zhvarrosi pjesët trupore, të cilat ishin ende të padekompozuara, policia i dërgoi në morgun e qytetit, në pritje të ekspertëve mjeko-ligjorë nga Tirana të cilët pritet të mbërrijnë ditën e sotme.
Dyshimet kryesore janë se mund të kemi të bëjmë me pjesë trupore të Fatmir Sulovarit ose Leonard Thodhorit, të zhdukur më 7 prill 2023.
Mësohet se pjesa e gjetur është koka e një njeriu, e cila ka ende inde të buta dhe mendohet se ngjarja është e muajve të fundit.
Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari (Krasniqi) u zhdukën në mënyrë misterioze në Prill të këtij viti, nga Çuka e Sarandës.
Dyshimet e hetuesve janë se ata u rrëmbyen e më pas u vranë. Në kohën kur u zhdukën, autoritetet bënë kontrolle në Xarrë, Vrinë dhe Shëndëlli, por pa mundur të zbulonin fatin e tyre.
Sakaq, më 30 tetor, policia e Fierit parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale dhe vuri në pranga një 29-vjeçar, i cili u kap me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete.
Albi Mecini u arrestua dhe dy bashkëpunëtorë të tij u shpallën në kërkim. Të tre këta shetats në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë edhe autorë të rrëmbimit të Sulovarit dhe Thodhorit.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, Albi Mecini, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim”, njoftoi polcia./albeu.com



