Avokatet e Jamarbër Malltezit kanë dorëzuar në Apelin e GJKKO shtesën e ankimimit për revokimin e masës së sigurisë.
Jamabër Malltezi ra në pranga pasi akuzohet për aferën e privatizimit të Partizanit. Malltezi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në njoftimin e SPAK thuhet se Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër sa i takon kompleksit Partizani. Sakaq, dhëndri i ish-kryeministrit në bashkëpunim me Fatmir Bektashin është paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.
Bektashi, ka ndihmuar Malltezin që nëpërmjet “Homeplan” sh.p.k., të realizonin fshehjen e origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit Malltezit, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Po ashtu SPAK ka vënë në sekuestro preventive 25 pasuri të Malltezit, ndër të cilat edhe vilën në Gjirin e Lalëzit. Gjithashtu i janë sekuestruar edhe 6 llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
/albeu.com