Ten Hag: Arbitrimi nuk kishte lidhje me futbollin, më pelqeu që ishim në kontroll të topit

Manchester United pësoi një disfatë të rëndë në Champions League teksa u mposht në transfertë nga Copenhagen me shifrat 4-3. “Djajtë e Kuq” u përmbysën dy herë kur kaluan në avantazh.

Tashmë kualifikimi për në raundin pasardhës është vendosur në pikëpytje. Trajneri Ten Hag me këtë humbje ka vënë në dyshim pozicionin e tij si trajner I Manchester Unitedit.

Anglezët mbajnë vendin e fundit dhe në dy ndeshjet e radhës luajnë në transfertë ndaj Galatasaray e më pas presin në “Old Trafford”, Bayern Munich. Pas sfidës në Danimarkë, trajneri Erik ten Hag u ankua për kartonin e kuq të dhënë ndaj Marcus Rashford në fundin e pjesës së parë. Ai gjithashtu theksoi se goli i parë i Copenhagen ishte për t’u anuluar.

“Ai karton i kuq dhe mënyra se si u gjykua kjo ndeshje, nuk ka të bëjë fare me futbollin. Në golin e parë të Copenhagen një lojtar i tyre qëndronte para Onanës dhe ai gol duhej anuluar për pozicion jashtë loje.

Kjo ndeshje nuk duhej të shkonte në këtë mënyrë, nuk ka lidhje me futbollin. Jam dakord që arbitrat duhet të marrin vendime të vështira në fushë dhe mund të gabojnë, por jo në këtë mënyrë.

Më mbetet vetëm të marr më të mirat e ndeshjes, më pëlqeu fakti që edhe me 10 lojtarë sërish ishim në kontroll të lojës. Sjellja e skuadrës në fushë ishte e shkëlqyer, nuk mund t’i bëj asnjë kritikë ekipit”, u shpreh Ten Hag./albeu.com

 


Shtuar 9.11.2023 15:33