Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka vlerësuar numrin e qytetarëve të cilët i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të qeverisë për regjistrimin e targave.
Sipas tij sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste, ndërsa më herët shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës.
Reagimi i plotë:
Qytetarët tanë i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për 4 ditë.
Kjo pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiç, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm.
Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste.
Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës.
Shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cënimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë.
Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi.