Prej mesditës së djeshme, Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, i cili ka shkaktuar të paktën një viktimë deri më tani, si edhe dëme të mëdha materiale për shkak të përmbytjeve dhe erës së fortë.
Rënia e pemëve ka shkatërruar disa makina në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë që zona të shumta mbetën pa energji elektrike për disa orë. Moti i keq për shkak të stuhisë “Ciaran” ka shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur në 24 orë dhe pritet të vijojë edhe sot duke sjellë shira të shumta në zona të ndryshme të vendit. Disa bashki kanë dhënë alarmin.
Ndiqni raportimin LIVE të AlbEu.com mbi këto zhvillime:
Pas përmbytjeve, nis dëbora: Zonat e prekura dhe ku duhet bërë kujdes
Reshjet e dendura të shiut kanë rinisur në territorin e Tiranës dhë qyteteve përreth, ndërkohë që në malin e Gramozit dhe atë të Gjallicës në Kukës janë vërejtur edhe redhje dëbore.
Pritet që reshjet e dëborës të jenë të lehta, vetëm në kreshtat e maleve, ndërkohë që paspërmirësimit gjatë fillimit të javës, reshet e dendura të shiut do të rikthehen gjatë së mërkurës duke përfshirë në mënyrë intensive thuajse të gjithë territorin e vendit.
Ministria e Mbrojtjes: Në Tiranë situata është përmirësuar, po punohet për pastrimin e rrugësve dhe rilidhjen e energjisë
Ministria e Mbrojtjes njofton se ekipet e emergjencave, koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, punonjës të drejtorive vendore të rrugëve, zjarrfikëses dhe policisë kanë punuar në terren për të garantuar qarkullimin pa vështirësi të qytetarëve dhe automjeteve.
Stuhi dhe përmbytje! Bashkia Lezhë jep alarmin për orët në vijim
Stuhia që ka përfshirë vendin pritet të sjellë edhe sot shira të dendura si edhe erë të fortë duke rritur rrezikun për përmbytje në zona të ndryshme.
Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, Bashkia Lezhë ka deklaruar se përmbytjet janë parashikuar sipas të dhënave nga shërbimi Meteorologjik.
Ndiqeni motin KËTU live
Bashkia e Lezhës thotë se shërbimet e emergjencës do të jenë në gatishmëri për çdo rast problematik. Megjithatë, përveç masave, kanë vënë në dispozicion të banorëve edhe një numër telefoni për çdo vështirësi që mund të krijohet.
“Bashkia Lezhë lidhur me të dhënat e marra nga Shërbimi Meteorologjik, ju bën me dije se priten reshje të dendura shiu dhe përmbytje! Shërbimet e Emergjencave të Bashkisë Lezhë do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast problematik”, njoftoi bashkia e Lezhës.
Siç ka raportuar më herët edhe AlbEu, zonat që pritet të preken më shumë janë Lezha, Shkodra si edhe në jug, Saranda, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, etj.
View this post on Instagram
Reshjet pritet të jenë intensive edhe gjatë ditës së sotme në zona të ndryshme të vendit.
FOTO LAJM/ Kukësi qan Erlindin që humbi jetën dje te Rruga e Kombit
Mediat raportuan dje për një aksident me vdekje në Rrugën e Kombit pranë Kukësit. Bëhet fjalë për Erlind Mustafajn, i cili humbi kontrollin e mjetit teksa po lëvizte në këtë aks për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugë, ndërkohë që një tjetër u lëndua dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Famlja Mustafaj pritet të kryejë ritet mortore për ta dërguar në banesën e fundit pas mesditës së sotme, ndërkohë që qyteti po qan të riun.
Disa faqe kanë postuar foton e tij në Facebook duke ngushëlluar familjarët pas aksidentit të djeshëm.
Aksidentet janë të shpeshta në Rrugën e Kombit dhe sidomos në aksin ku humbi jetën Mustafaj. Një vit më parë, pikërisht në të njëjtin vend u përmbys edhe një betoniere duke zënë poshtë shoferin.
Rruga në atë aks është shumë e rreshqithshme, ndërkohë që pritet mbyllja e urës, e cila ka tejkaluar çdo afat.
Çahet asfalti në Dibër, Rruga e Arbrit e bllokuar
Stuhia “Ciaran”, e cila ka prekur disa vende të Europës, prej mesditës së djeshme ka shkaktuar përmbytje rrugësh, probleme në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve si edhe ndërprerje të energjisë edhe në Shqipëri.
Sipas meteorologëve stuhia do të vijojnë dhe për dy ditët e fundjavës. Nga Jugu në Veri problemet janë të shumta. Në Durrës dhe Vlorë është pezulluar lundrimi i mjeteve të peshkimit.
Në Dibër, Rruga e Arbrit, konkretisht ura mes dy tuneleve ka probleme. Në fshatin Fshat është çarë asfalti. Probleme ka edhe rruga nacionale Klos – Bulqizë me rënien e gurëve.
Gjithashtu dhe zonat malore në veri, Shkodër dhe Kukës ka probleme në disa akse. Edhe në qarkun e Gjirokastrës ka probleme nga përmbytjet.
Mbetën të bllokuar kanionin e Langaricës në Përmet, zjarrfikësit shpëtojnë 23 turistët e huaj
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në të gjithë vendin dhe kanë bërë të mundur daljen nga shtrati të lumit në Kanionin e Langaricës.
Lumi ka përmbytur parkimin në hyrje të Kanionit duke shkaktuar bllokimin gjatë natës të 23 turistëve.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe policore bëri të mundur shpëtimin dhe nxjerrjen e turistëve, si edhe të mjeteve në parkun e përmbytur.
Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati për rreth dy orë dhe nuk pati asnjë të lënduar.
Turistët u evakuan dhe u transportuan me mjetet e bashkisë e të policisë për t’u strehuar në hotelet e qytetit. Ata ishin të kombësive të ndryshme (Francezë, Gjermanë e Polakë).
“CIARAN” godet Shqipërinë, stuhi shiu përgjatë gjithë natës! Qarqet më të rrezikuara
Prej 24 orësh Shqipëria ndodhet në “pushtetin” e shiut. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon që për fundjavën vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të Europës.
Në këtë mënyrë për ditën e Shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave.
Në periudha afatshkurtra reshjet do të jenë me intensitet të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive të forta shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike dhe breshër. Pas mesdite mot me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët apo shtrëngata afatshkurtra.
Për ditën e Diel moti nis me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit më tepër të theksuara në veriperëndim dhe jugperëndim. Në orët e pasdites në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.
Vlen për tu theksuar se për ditën e Diel pritet erë tepër intensive dhe problematike kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore. Era pritet të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12m/s ndërsa me rrahje era intensive 15-25m/s shoqëruar me dallgëzim të lartë në dete të forcës 5-7 ballë.
Vijon..