Zemra e Saimir Sulës, laboratori në Shqipëri nuk bën dot ADN

Laboratori kriminalistik në Shqipëri e ka të pamundur të përftojë një profil gjenetik nga organi i zermës që iu hoq Saimir Sulës në një spital në Spanjë, ku ai ndërroi jetë.

Organi I zemrës, që u soll në Shqipëri pas 3 vitesh përpjekje të motrës së viktimës, është mbajtur në lëndën formalinë, dhe që të përftohet AND-ja duhet të denatyralizohet, proces që nuk realizohet në Laboratorin kriminalistik në vendin tonë.

Në këto kushte, familja i është drejtuar me shkresë prokurorisë dhe kërkon që organi i zemrës të dërgohet në një laborator në Madrid, Vjenë ose Bruksel.

Burime nga prokuroria thanë se kërkesa e motrës së Saimir Sulës i është dërguar ministrisë së drejtësisë, e cila po merret me procedurat, por ende nuk ka një vendim.

Mungesa e profilit gjenetik, prej nga do të vërtetohej se zemra është e të riut që ndërroi jetë në spital, për shkak se do të bëhej krahasimi me AND-në e nënës së tij, është duke vënë në vështirësi hetimin.

Prokuroria e Tiranës ka çelur një çështje penale për trafik organesh pas kallëzimit të Majlinda Sulës, motrës së viktimës, e cila ngre dyshime për vrasjen e të vëllait, ndërsa zbuloi përmes autopsisë së i ishte hequr zemra.

Majlinda Sula ka bërë dhjetëra protesta në Spanjë, Bruksel e Shqipëri duke shtyrë institucionet që të hedhin dritë mbi shkaqet e vdekjes së vëllait të saj.


Shtuar 31.10.2023 19:07