Sot seancë, deputetët rikthehen pas bojkotit të opozitës! 23 të përjashtuar, Bardhi: Do jemi në Kuvend

Pasditen e sotme, në orën 17:00, deputetët do të rikthehen në seancë parlamentare.

Ndonëse e fundit nuk u zhvillua, për shkak të vendimit të opozitës për të shkaktuar kaos dhe për të bllokuar punimet e Kuvendit, deri në plotësimin e kërkesave të saj, ligjvënësit do të rikthehen për të diskutuar, sipas rendit të ditës për 4 orë, problematikat e zgjedhësve.  Por njëjtë si seanca e fundit më 19 tetor, edhe seanca e së hënës, pritet të zhvillohet me përplasje mes opozitës dhe maxhorancës.

Për shkak të kaosit që krijuan, 23 deputetë të opozitës, u përjashtuan. Me kërkesë të deputetëve socialistë, mes të përjashtuarve janë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi si dhe Sali Berisha.

Por, pavarësisht vendimit, Bardhi ka deklaruar se të përjashtuarit do të jenë në Kuvend, pasi sipas tij, afati për përjashtimin me 10 ditë, përfundon më 29 tetor, dhe jo më 30, sikurse thuhet në vendimin e vulosur me votat e socialistëve në Sekretariatin e Etikës.

“I tremben opozitës prandaj dhe na përjashtojnë dhe kur nuk u dalin  llogarite, nuk zbatojnë as vendimet e tyre”.

“Ne do të jemi në seancë!, tha deputeti.

/Albeu.com 


Shtuar 30.10.2023 07:16