Parlamenti Evropian ka hartuar një Projekt-Rezolutë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për sulmin terrorist në fshatin Banjskë, që pritet të prezantohet në seancën e së enjtes, më 19 tetor. Kjo Rezolutë është iniciuar nga grupi politik i socialdemokratëve në PE, pasi situatën në Kosovë e vlerësojnë si “jashtëzakonisht shqetësuese”. Aty kërkohet sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radojiçiqit.
Projekt-Rezoluta, e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mes të operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë.
Nëpërmjet kësaj rezolute, të cilën e ka publikuar mediat serbe “Nova”, ftohen të gjitha anëtarët e BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, që ta dënojnë këtë sulm. Gjithashtu shprehet keqardhje e thellë për viktimat dhe shpërehen ngushëllime për familjen dhe kolegët e Afrim Bunjakut. Aty vlerësohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë EULEX dhe KFOR në kundërpërgjigje të sulmit.
“Të gjitha palët ftohen për qetësim të situatës në veri të Kosovës dhe të shmangin çdo retorikë apo veprim që do të çonte në rritje të mëtejshme të tensioneve. Gjithashtu kërkohet që të vërtetohen të gjitha faktet për sulmin dhe një monitorim i kujdesshëm i hetimeve nga autoritetet kosovare. BE-së i kërkohet të mbështesë hetimin nga autoritetet e Kosovës, duke përfshirë mbështetjen nga EULEX-i. Autorët përgjegjës për këto sulme duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë. Autoriteteve të Kosovës u kërkohet të zbulojnë të gjitha provat në lidhje me incidentin dhe që institucionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë EULEX-in, t’i vlerësojnë këto dëshmi. Pritet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këtë hetim dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin dhe që aktualisht ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë ekstradimin e tyre në Kosovë”, thuhet në Rezolutë.
Autoriteteve të Kosovës u kërkohet gjithashtu që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar kontrabandën e armëve në vend, e cila bëhet përmes ambulancave dhe objekteve kishtare të Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës.
Tutje në Projekt-Rezolutë theksohet rëndësia e vendosjes së përgjegjësisë së Serbisë në sulmin e 24 shtatorit dhe nevoja për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, në përputhje me masat ndaj Kosovës. Ftohen BE-ja dhe anëtarët e saj të përgatisin sanksione kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, bazuar në gjetjet e hetimit.
Gjithashtu, BE-së i kërkohet të vendosë masa kufizuese ndaj lidershipit serb, nëse konfirmohet pjesëmarrja e tyre në sulmin në Banjska ose cilido nga veprimet apo qëndrimet e lartpërmendura të dënuara, përfshirë mosgatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht në hetimin e këtij rasti. Këshillit të Evropës i kërkohet të miratojë masa kufizuese të synuara, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit, kundër aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, Këshilli ftohet të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendosë sanksione kundër Milan Radojiçiqit.
“Rezoluta dënon ashpër praninë e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, por mirëpret tërheqjen e disa trupave serbe nga kufiri i Kosovës dhe i bën thirrje Serbisë që të përmbahet nga përsëritja e situatave të tilla në të ardhmen. Serbisë i kërkohet të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet e shkaktuara nga prania e saj ushtarake. Në këtë drejtim, Serbisë i kërkohet të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura afër kufirit me Kosovën dhe pajisjet, duke përfshirë sistemet kundërajrore dhe njësitë e artilerisë së rëndë, të përmbahet nga çdo vendosje joproporcionale ushtarake në rajon në të ardhmen dhe të ndërpresë çdo mbështetje për formacionet ilegale terroriste në veri të Kosovës”, thuhet tutje në Projekt-Rezolutë.
Më tej theksohet se një sjellje e tillë agresive ushtarake, së bashku me mesazhet politike të radikalizuara në Serbi dhe indikacionet e forta të përfshirjes së shtetit serb në dhunën e fundit në sferën politike në veri të Kosovës, tregojnë për një politikë shumë të rrezikshme por koherente të Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë.
Po ashtu dënohen ashpër sulmet e dhunshme në maj 2023 kundër ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve. Ftohen autoritetet kompetente që të nxjerrin para drejtësisë të gjithë autorët përgjegjës të këtyre sulmeve.
Rezoluta i bën thirrje KFOR-it të krijojë një plan për veriun e Kosovës në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm. Mirëpritet vendosja e 200 trupave britanike në Kosovë për të përforcuar KFOR-in dhe ftohen të gjitha shtetet anëtare të BE-së të dërgojnë trupa shtesë pa vonesa të mëtejshme. Rezuluta mirëpret vendimin e NATO-s për të pajisur KFOR-in me armë më të rënda në mënyrë që të ketë një aftësi më të madhe luftarake. NATO-s i kërkohet të sigurojë që KFOR-i të ketë kapacitet adekuat për monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të gjithë veriut të Kosovës për të siguruar që çdo inkursion paraushtarak ose sulm, veprim ose tentativë për rrëmbim të policëve të Kosovës mund të zbulohet menjëherë. BE dhe shteteve të saj anëtare nxiten që të rrisin më tej njësitë e EULEX-it në terren, veçanërisht në veri të Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, të forcojnë përkohësisht rolin e saj në përgjigje të sfidave të sigurisë në veri të Kosovës.
Në këtë dokument shprehet keqardhje e thellë që Serbia dhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë shpallën ditë zie kombëtare për tre terroristë serbë të vrarë në sulmin në Banjskë, e që për synim ka t’i vendosë këta terroristë si heronj që luftuan për çështje serbe, gjë e cila shkakton tensione të forta politike në rajon
Rezoluta i bën thirrje Serbisë dhe Kosovës që të dënojnë të gjitha format e dhunës dhe provokimeve dhe të bëjnë thirrje për përmbajtje dhe ndërprerje të menjëhershme të çdo veprimi që mund të rrisë më tej tensionet. Serbisë dhe Kosovës i kërkohet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe në vend të kësaj, të punojnë në mënyrë aktive drejt zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Rezoluta dënon dhe shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e autoriteteve serbe në sulmin e 24 shtatorit 2023, duke përfshirë hezitimin e tyre për të bashkëpunuar në hetim, propagandën, glorifikimin, mbështetjen politike, qëndrimin e tyre të butë ndaj organizatorëve dhe autorëve të sulmit dhe përpjekjen për të destabilizuar Kosovën.
Përmes rezolutës përkrahet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I bëhet rithirrje Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në dialogu me vullnet të mirë dhe me frymë kompromisi për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në parimin e njohjes reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme. Ftohen palët përkatëse që dialogu të fokusohet më shumë te qytetarët. EEAS i kërkohet të ndajë më shumë fonde për dialogun e udhëhequr nga BE.
BE-së i kërkohet të forcojë rolin e saj si ndërmjetës në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe të propozojë një qasje të re, novatore dhe të balancuar për ndërmjetësimin ndërmjet palëve, në mënyrë që të kapërcehet ngërçi aktual, duke qenë se mënyra e vjetër e veprimit nuk është më e mundur pas sulmit të 24 shtatorit 2023 dhe se besimi në proces duhet të rikthehet.