PS nuk votoi ndryshimin e anëtarëve të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Berisha: Atentat ndaj pluralizmit parlamentar

Ish-kryeministri Sali Berisha kryefjalë të konferencës së sotme për mediat kishte sërish zgjedhjet e 14 Majit dhe librin me shkeljet që ka konstatuar, të cilat i evidentoi edhe njëherë pas daljes së raportit të OSBE-së.

Sa i përket PS -së që nuk votoi ndryshimin e anëtarëve të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Berisha tha se është një atentat i narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar.

“Ky raport ka një mesazh për shqiptarët: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë.

Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite.

Edi Rama tregoi se nuk pranon pluralitetin e vërtetë në parlament dhe në një akt të pashembullt, në mënyrë absolute në asnjë vend tjetër pluralist, merr përsipër t’i caktojë opozitës, përfaqësuesin që don ai.

Siç bëri në zgjedhjet e 14 majit me kryetarin e koalicionit.

Të gjitha këto janë çështje thelbësore të cilave opozita duhet t’u përgjigjet dhe do u përgjigjet.

Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse.

Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne do i mbrojmë ato”, tha Berisha.