Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, të premten.
Ditë më parë, Gazeta gjermane Spiegel, pati raportuar se autoritetet gjermane janë duke e shqyrtuar marrjen e një vendimi të tillë, për ta përforcuar misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.
Po të premten, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka paralajmëruar përforcime shtesë të trupave të KFOR-it.
Më 1 tetor, Britania e Madhe ka konfirmuar se do t’i dërgojë 400 ushtarë shtesë në Kosovë.
Ristuccia e ka përmendur se përforcime do të ketë edhe nga Rumania dhe “vende tjera aleate”.
Ristuccia ka thënë se incidentet e muajve të fundit, kryesisht në veri të Kosovës, tregojnë që situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të tensionohet shpejt.
Ai e ka përmendur që vetëm një zgjidhje politike do të mund të garantojë paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, dhe e ka përsëritur mbështetjen e KFOR-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.
Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim./rel