Mungon vetëm votimi në Kuvend dhe shkarkohet, Meta reagon pas lëvizjes së radhës së Komisionit Hetimor

Presidenca ka reaguar pas mbledhjes së radhës së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, ku u bë me dije se raporti do të dërgohet në Kuvend brenda 7 ditësh.

Lidhur me këtë, presidenca shprehet se nuk ka asnjë koment dhe as shqetësim pasi është veprim anitkushtetues që tenton të shmangë vëmendjen nga krimet e zgjedhjeve.

Më tej, thuhet se Meta do të vazhdojë detyrën e presidentit, deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar.

REAGIMI

Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar.


Shtuar 28.05.2021 13:39