Kërkesa e Gazment Bardhit për ndryshimin e rendit të ditës është rrëzuar nga Kuvendi.
Bardhi kishte kërkuar që në rendin e ditës se seancës së sotme plenare të futej propozimi i tij për ndryshimin e përbërjes së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
“43 vota pro kërkesës për ndryshimin e rendit të ditës, 55 janë kundër”, tha Felaj.
Pas vendimit, Bardhi ngritit zërin në Kuvend dhe tha se mazhoranca nuk është e interesuar për zgjedhjet e lira. Ai i akuzoi se kanë përfshirë Pëllumb Gjokën, i arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza” dhe bandat kriminale në zgjedhje.
Bardhi: Po të ishit për zgjedhje të lira nuk kishit përfshirë Pëllumb Gjokën në Shkodër dhe çdo bandë kriminale. Në përbërje të Komisionit si përfaqësues të opozitës ka deputetë që kanë lënë mandatet. Ne nuk kemi 9 deputetë siç thotë mandati, kemi 8. Pse duhet ta mbani peng ju ndryshimin e përbërjes së Komisionit, sepse talleni, sepse nuk keni interes të bëni Reformën Zgjedhore, sepse nuk keni interes të ketë zgjedhje të lira. Kështu do vazhdoni t’i bëni zgjedhjet? U tallët një vit e gjysmë dhe do na mbani e një vit e gjysmë që kur të vijë 2025 të thoni nuk e bëmë dot Reformën Zgjedhore. Pse duhet të shtyhet për javën tjetër./Albeu.com