Presidenti i Republikës Bajram Begaj është takuar me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në New York, ku ndodhet me delegacionin shtetëror të Republikës së Shqipërisë për javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Begaj ka publikuar një foto me Osmanin në të cilën shkruan “Bashkë”.
Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Republikës, mori pjesë sot në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i njohur si Samiti për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku marrin pjesë kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Begaj, mbajti sot, një fjalë në emër të Shqipërisë, në ditën e parë të samitit, gjatë Segmentit të Dialogut të Udhëheqësve me temë “Forcimi i politikave të integruara dhe institucioneve publike për arritjen e OZHQ-ve”.
Presidenti Begaj u shpreh se “ Zhvillimi i qëndrueshëm është garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti”.