“Mbytën” në plumba dhe vranë ish-drejtorin e OST-së në Rrëshen, Prokuroria mbyll hetimet! Dërgohet për gjykim vrasësi me pagesë Dorjan Keqi

Dorjan Keqi, i arrestuar rreth 1 vit më parë si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Energjisë Elektrike për Veriun Saimir Jaku, do të përballet në gjykatë me akuzën “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”.

Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet në lidhje me krimin e ndodhur me 9-shtator të vitit 2016 në një lokal në Rrëshen, dhe dosja penale me të pandehur 40-vjeçarin nga Kruja ka kaluar për gjykim.

Dorjan Keqi, i cili dyshohet si vrarës me pagesë, ka mohuar lidhjen me ngjarjen, por organi i akuzën pretendon se ka arritur të provojë bashkëpunim e tij në këtë krim, ku mbeti i plagosur edhe një person tjetër që ishte duke pirë kafe me Jakun.

40-vjeçari me banim në Krujë u arrestua në shtator të vitit 2022 nga Policia me urdhër të Prokurorisë së Lezhës. Ai u zbulua në bazë të gjurmëve të gishtave që kishte lënë te bidoni me benzinë që u gjet në vendin ku autorët kishin djegur makinën pas krimit.

Ish-drejtori i OST-së për Veriun, Saimir Jaku, u ekzekutua me 9 shtator të vitit 2016-të. Ai u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe në një lokal në Rrëshen bashkë me një mikun e tij i cili nga të shtënat mbeti i plagosur. Autorët e ngjarjes të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona mes të cilëve dhe Dorjan Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”, i cili pas ngjarjes u gjet i djegur në një fshat të Kurbinit.


Shtuar 18.09.2023 10:58