Kryetari i bashkisë së Lampedusa, Filippo Mannino, i kërkoi Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Romës që të ndërhyjnë menjëherë për të reduktuar numrin e emigrantëve dhe refugjatëve në ishull.
“Ne kemi treguar gjithmonë solidaritet dhe humanizëm të madh, por jemi një rajon i vogël, që nuk mund ta përballojmë i vetëm barrën e një situate të tillë”, theksoi Manino, i cili shpalli ishullin në gjendje të jashtëzakonshme.
Rekord absolut
Në njëzet e katër orët e fundit, emigrantët dhe refugjatët arritën gjithsej 6800. Ky është një rekord absolut, i cili vjen si pasojë e kushteve të favorshme atmosferike, por edhe për faktin se roja bregdetare tuniziane praktikisht nuk ushtron asnjë lloj kontrolli. Megjithatë, deri më tani, gjithçka tregon se kjo valë e re e ardhjeve nuk është e lidhur me përmbytjet dramatike që goditën Libinë.
Deri në mbrëmjen e sotme, rreth 1500 persona pritet të transferohen në Siçili, ndërsa procesi i dekongjestionit të ishullit do të vazhdojë në ditët në vijim. Megjithatë, ajo që theksojnë anëtarët e qeverisë në Romë dhe vetë kryeministrja Giorgia Meloni është se vendi nuk mund të vazhdojë të jetë nën një presion kaq të madh dhe se nevojiten masa të reja mbështetëse nga Evropa. Emigracioni do të jetë tema kryesore e diskutimit në Këshillin e Ministrave të ardhshëm, në godinën e qeverisë Palazzo Kitzi të hënën, ndërsa Meloni pritet ta ngrejë sërish në Samitin Europian të tetorit.
Ministri i Transporteve Matteo Salvini në deklaratat e tij ka thënë se “shërbimet sekrete italiane janë marrë ditët e fundit me gjithë këtë fenomen, për të verifikuar një sërë faktesh”, ndërsa shtoi se, “nëse ardhjet vazhdojnë me ritmin e pandërprerë, Italia mund të marrë çdo masë të mundshme për të trajtuar problemin”.
Nisma solidare nga banorët
Më në fund, pavarësisht vështirësive, disa nisma solidariteti të banorëve të ishullit po lëvizin: një zjarrfikës i ri u takua jashtë shtëpisë së tij mbrëmë me rreth dhjetë emigrantë nga Burkina Faso, të cilët, pas një udhëtimi katërditor, iu lutën që t’u jepte pak ushqim. Ai anuloi orarin e tij – një takim me një grup miqsh – dhe u bëri makarona, së bashku me nënën e tij.
Më në fund, një vajzë 31-vjeçare, banore e ishullit, kishte shkuar në një udhëtim me varkë në Lampedusa dhe, kur pa emigrantët në det që kërkonin ndihmë dhe rrezikonin të mbytej, ajo u zhyt menjëherë dhe arriti të shpëtojë katër jetë.