Dramë në arsim, nxënësit numërohen me gishta, mbyllen klasat e para në disa fshatra në Librazhd, edhe Gramshi mbyll klasat e dhjeta

Këtë vit pritet të ketë një tjetër rënie të numrit të nxënësve që do të ulen të hënën në bankat e shkollës.

Ministria e Arsimit ka shtyrë për të dytën herë afatin e procesit të regjistrimit të nxënësve  duke i dhënë mundësi deri  të dielën në orën 23 e 59 minuta, pasi është parë një numër i ulët i regjistrimeve.

Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar ka hapur e ka mbyllur dy herë sistemin për regjistrimin e nxënësve.

Afati i parë ishte nga mesi i gushtit deri në datën 1 shtator. Më pas u shty deri në datën 4 shtator dhe një ditë më parë pasi u panë shifrat e ulëta të regjistrimeve procesi është shtyrë deri të dielën, pak orë para se të nisë viti i ri shkollor.

Numri i ulët i nxënësve ka sjellë edhe mbylljen e disa shkollave në fshatrat e thellë malorë.

Në fshatin Kokrevë të Librazhdit shkolla fillore është mbyllur e po ashtu shkolla në fshatin Bletëz të Gramshit.

Gramshi numëron 7 gjimnaze, 3 prej të cilëve këtë vit shkollor nuk hapën klasën e dhjetë pasi numri i përcaktuar prej 10 nxënësish në klasë nuk u plotësua. Në shkollat e tjera nxënësit numërohen me gishtat e dorës.

Deri më tani janë afro 27 mijë nxënës të regjistruar në klasat e dhjeta.

Krahasuar me një vit më parë, janë regjistruar 1000 nxënës më pak.

Por rënie të ndjeshëm ka edhe tek të vegjlit që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Shifrat zyrtare pitet të bëhen publik në ditën e parë të filmit të vitit të ri shkollor.

Një vit më parë u ulën në bankat e shkollës  rreth 450 mijë nxënës, 30 mijë nxënës më pak se viti paraardhës.

Kjo rënie pritet të jetë e ndjeshme edhe këtë vit, ku në klasat e para numri i ulët i nxënësve argumentohet me uljen e numri të lidhjeve ndërsa për  numrin e ulët në klasat dhjeta reflektohet emigrimi i shqiptarëve drejt vendeve të BE.


Shtuar 7.09.2023 15:28