KLSH kap me shkelje kreun e Këshillit gjatë auditi në RTSH, ka zyrë, makinë dhe shofer jashtë ligjit

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar abuzime financiare në shuma të mëdha të lidhura me Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Sipas materialit paraprak, shkelje ligjore janë raportuar ndër të tjera me kryetarin e këtij Këshilli, Leka Bungo.

Auditi ka konstatuar se z.Bungo përdor zyrë, makinë dhe shofer, të paguara nga institucioni. Por anëtarët apo krerët e këshillave apo bordeve nuk kanë të drejta të tilla në zërat buxhetorë të institucioneve përkatëse.

As ligji, as rregulloret e brendshme nuk parashikojnë pagesa të tilla për këto organe.

Zyra, makina dhe shoferi i janë dhënë kreut të Këshillit Drejtues me një vendim të marrë në shkelje të ligjit në periudhën e vakumit të krijuar pas arrestimit të ish-drejtorit Thoma Gëllci.

Shumat e përfituara gjatë këtyre viteve nga këto përfitime duhet t’i kthehen shtetit, ndërkohë që sipas KLSH, materiali do përcillet në drejtorinë e përgjithshme të RTSH pasi të formulohet zyrtarisht si dhe do referohet më pas në organet hetimore.

Keshillit Drejtues i RTSH zgjidhet nga Kuvendi dhe bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm dhe Bordin e Administrimit janë tre organet drejtuese të RTSH-së. /Dita

 


Shtuar 6.09.2023 18:35