BE-ja i ka bërë thirrje Rusisë që t’i bashkohet marrëveshjes së Detit të Zi të mbështetur nga OKB-ja për të eksportuar grurë nga Ukraina dhe për të ndaluar pushtimin e saj të paligjshëm dhe bllokimin e Detit të Zi nga ushtria e saj.
Kështu tha sot përfaqësuesi i Komisionit për politikën e jashtme, Peter Stano, i pyetur për takimin e ardhshëm mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan në resortin e Detit të Zi, Soçi.
“Kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja e drithit të Detit të Zi në korrik, ajo në mënyrë efektive dëmtoi mënyrën më të qëndrueshme për të eksportuar grurë ukrainas në tregun botëror. Kjo nuk është e pranueshme”, tha Peter Stano.
Ai theksoi se Rusia po sulmon infrastrukturën portuale për eksportin e grurit ukrainas, duke përfshirë rajonin e Danubit, si dhe mënyra alternative për daljen e grurit, si korsitë e solidaritetit, duke rrezikuar miliona njerëz të cenueshëm.
“Pritja e përgjithshme është që të paktën Rusia të kthehet në marrëveshjen e drithit të Detit të Zi, dhe pritshmëria kryesore është që Rusia të ndalojë agresionin e saj të paligjshëm kundër Ukrainës, pjesë e të cilit është bllokada e Detit të Zi që synon në mënyrë specifike eksportet e grurit ukrainas”, tha përfaqësuesi i Komisionit.