Pse disidentët politikë nuk kanë më mbështetjen e qeverive demokratike si dikur?

Nga Sohrab Ahmari “New Statesman

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një trup gjykues i vendosur në një burg të sigurisë maksimale në Melekhovo, 240 km larg Moskës, e dënoi disidentin rus Alexei Navalny me 19 vite burg shtesë me akuza të sajuara për “ekstremizëm”. Një nga bashkëpunëtorët e tij në Siberi, përballet me akuza të ngjashme të fabrikuara, dhe ka të ngjarë të marrë një dënim po aq të ashpër nga autoritetet gjyqësore, që duken të vendosura të zhdukin çdo lloj zëri kundër Vladimir Putinit dhe luftës së tij kundër Ukrainës.

Ky lajm mbeti periferik në mediat perëndimore, dhe nuk pati aspak jehonë tek opinioni publik. Dhe kjo sjellje është dukshëm në kontrast të plotë me epokën e mëparshme të Luftës së Ftohtë por edhe atë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, kur disidentët e burgosur si Aleksandr Solzhenitsyn, Natan Sharansky, Aung San Suu Kyi, Liu Xiaobo dhe Ahmad Batebi, ndër shumë të tjerë, u trajtuan si mbrojtës të kauzave madhore nga miliona njerëz në mbarë botën.

Sot disidenti global, mund të cilësohet si viktima e fundit e epokës së polarizimit, zhgënjimit dhe degradimit të brendshëm që po e shkatërron demokracitë perëndimore. Angazhimi në mbrojtje të të shtypurve, daton që në epokën e perandorive evropiane.

Propaganda e madhe morale në Londër apo Paris për fatin e grekëve dhe të krishterëve ballkanikë nën sundimin osman, ishte po aq i sinqertë sa edhe brutaliteti i Portës së Lartë kundër këtyre popullatave. E megjithatë ndjenja të tilla diktuan zhvillimet në gjeopolitikën perandorake.

As perandoria e lirisë matanë Atlantikut, SHBA-ja, nuk mund t’i rezistonte kombinimit të hipokrizisë dhe moralit. Elita politike amerikane shprehte zemërim të madh mbi vuajtjet e demokratëve në Evropë, sesa ndaj atyre që përjetonin skllevërit në plantancionet e tyre.

Megjithatë, figura e disidentit të rrezikuar – zakonisht një artist, aktivist apo intelektual – është dukshëm një dukuri e shekullit XX-të dhe në veçanti e Luftës së Ftohtë. Në atë kohë 2 degë rivale të mendimit iluminist, liberalizmi dhe komunizmi, u përballën me njëra-tjetrën në një konflikt global me armët bërthamore në lojë.

Po aq e rëndësishme sa mbyllja e hendekut në lidhje me numrin e raketave bërthamore, ishte fitimi i garës morale, pasi secila palë kërkonte ta portretizonte tjetrën si të prapambetur dhe shtpëse. Në këtë garë, Perëndimi demokratik kishte padyshim avantazh, dhe për arsye të forta. Ndërsa sovjetikët mund të denonconin aparteidin ligjor në jugun e SHBA-së dhe krime të tjera të tilla, ishin ata që lanë të vdesin urie miliona njerëz, organizuan gjyqe farsë dhe ndërtuan gulagët.

Mbi të gjitha, ishte blloku sovjetik, ai që censuroi dhe nganjëherë burgosi figura letrare të njohura si Solzhenitsyn dhe Václav Havel. Shqetësimi për disidentin e bllokuar pas Perdes së Hekurt, krijoi me shpejtësi një aparat social që synonte të vinte në pah gjendjen e tyre.

Organizata si Pen America, Amnesty dhe Helsinki Ëatch (më vonë Human Rights Ëatch) i transformuan disidentët në emra të njohur, të paktën në grupin e klasës së mesme. Përtej llogaritjeve cinike të Luftës së Ftohtë, popullariteti i disidentit pasqyronte stabilitetin kulturor relativ, si dhe pasurinë materiale të Perëndimit në dekadat e menjëhershme pas Luftës së Dytë Botërore.

Në ato kohë më të lumtura, disidenti mishëronte vetë-besimin tonë tek standardet e larta që kishim si vende, dhe ku popujt e tjerë dëshironin të ishin jetonin të lumtur dhe të lirë. Ky besim duhej ruajtur dhe kjo është arsyeja pse disidentët e panë veten të lënë pas dore kur devijuan nga skenari.

Kjo ndodhi më së shumti me Solzhenitsyn. Kur njeriu i letrave i mërguar nga vendi i tij, pranoi të mbante një fjalim në ceremoninë e diplomimit të studentëve në Harvard në vitin 1978, ai e dinte çfarë pritej prej tij:t’i thurte një poezi “Kështjellës së madhe Atlantike të Lirisë”, siç u shpreh më vonë.

Por kur në vend të kësaj ai artikuloi disa kritika të ashpra ndaj Perëndimit, duke dënuar tjetërsimin që u bën njerëzve kapitalizmi dhe lakminë e madhe që e karakterizon, media amerikane e sulmoi ashpër dhe imazhi i tij nuk u rehabilitua asnjëherë.

Me fundin e Luftës së Ftohtë, romanca disidente e Perëndimit u zhvendos përsëri në Lindjen represive. Sulmet e 11 shtatorit 2001, e përqendruan vëmendjen tek disidentët në Lindjen e Mesme:tek të rinjtë me veshje, telefona inteligjentë dhe aspirata perëndimore, të cilët punonin nën zgjedhën e diktaturave kleptokratike dhe shpeshherë antiperëndimore.

Ajo shihej si një elitë demokratike fillestare, gati të çlironte veten nga despotizmi i lashtë dhe të inauguronte “Fundin e Historisë” në Shtëpinë e Islamit. Ndërsa u shtuan skandalet CIA-s me hetimet ekstra-ligjore, administrata Bush u fokusua tek kauza e disidentit të Lindjes së Mesme.

Por ja ku jemi tani 2 dekada më vonë. Disidentit ka “dalë nga moda”. Çfarë ndodhi?

Së pari, luftërat e zhvilluara në emër të disidentëve demokratë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut ishin katastrofa të mëdha, duke lënë pas kolapse shtetesh, luftëra civile dhe zhvendosje masive të njerëzve. Ndërkaq, në vende si Egjipti, Pranvera Arabe zbuloi në mënyrë të padobishme disidentët laikë, të cilët ishin më të shumtë në numër se myslimanët e devotshëm me vizionet e tyre demokratike dhe pa dyshim shumë të ndryshme.

Laikët ishin më se të lumtur të rivendosnin sundimin e liderëve autoritarë laikë, për t’i dhënë fund demokracisë islamike. Pastaj, standardet e dyfishta të lëvizjes për të drejtat e njeriut, bëhen haptazi të pashmangshme në një epokë të kontrolleve të menjëhershme ndaj fakteve dhe reagimeve të mediave sociale kundër devotshmërisë ndaj regjimeve.

Edhe qasja ndaj ujgurëve ndryshoi gradualisht, nga një kërcënim i mundshëm islamik në viktima të represionit komunist kinez. Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur u thellua rivaliteti midis Pekinit dhe Uashingtonit. Nga ana tjetër, vetë disidentët përmbushin pritshmëritë e nxitura nga imazhi i tyre i idealizuar.

Por faktori ndoshta më i rëndësishëm në zbehjen e rëndësisë së disidentit global, ka qenë thyerja e brendshme e demokracive perëndimore në mesin e rritjes së lëvizjeve populiste, duke filluar nga mesi i viteve 2010. Lëvizjet si Brexit dhe Trumpizmi, theksuan me hidhërim se gjithçka nuk ishte më e lumtur dhe e qëndrueshme.

Se ndërsa elitat ishin të zëna me politikën e të drejtave të njeriut dhe zgjerimin e liberalizmit jashtë vendit, në shtëpi miliona njerëz ishin lënë pas dore në aspektin ekonomikisht. Ndaj u shfaq gradualisht një shtresë njerëzish që i shihnin si disidente kundër-elitat e tyre Trumpiane dhe Brexiteiste. Por mos vajtoni shumë për fatin e disidentit global. Është një zhvillim i shëndetshëm për Perëndimin, fakti që po merr fund praktika e ndarjes së kombeve në kampe demonësh dhe engjëjsh. /albeu.com


Shtuar 26.08.2023 09:57

Tags: