Çfarë do të sjellë vdekja e Prigozhin për Putinin dhe luftën në Ukrainë? Flasin ekspertët

Atlantic Council

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ishte më e lehtë t’i afroheshe Moskës në qershor sesa të largoheshe prej saj në gusht. Udhëheqësi mercenarëve të Wagner, Yevgeniy Prigozhin, që organizoi një rebelim jetëshkurtër kundër ushtrisë ruse 2 muaj më parë, thuhet se u vra në një aksident ajror së bashku me 9 pasagjerë të tjerë të mërkurën ndërsa udhëtonte nga Moska për në Shën Petersburg.

Disa raporte pretendojnë se avioni është rrëzuar nga mbrojtja ajrore ruse. Interesant është fakti që vetëm disa orë më parë, gjenerali Sergei Surovikin, që dyshohet se kishte njohuri paraprake për kryengritjen e Wagner, dhe që nuk ishte parë në publik prej 2 muajsh, u shkarkua nga detyra e tij si kreu i forcave ajrore ruse.

Po çfarë tregojnë koha dhe rrethanat e vdekjes së Prigozhin për gjendjen e regjimit të presidentit rus Vladimir Putin? Ç’do të thotë kjo ngjarje për të ardhmen e Wagner? Dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo luftë për pushtet në luftën në Ukrainë?

Daniel Fried ish-ambasador i SHBA-së në Poloni:Një ngjarje e ngjashme me serialin Kumbari

Ndërsa rrethanat nuk janë ende të qarta, është më mirë të supozohet që ky nuk ishte një aksident, por një goditje e qëllimshme. I vetmi ndryshim është se Prigozhin nuk u shty nga  dritarja e ndonjë godine apo nuk u qëllua në rrugë si kundërshtarët e tjerë të Kremlinit, por u eliminua përmes një aksidenti ajror.

Çfarë do të thotë? Së pari, Putini ka kërkuar pagimin e një çmimi nga ata që lëvizin kundër tij. Prigozhin ka vdekur, dhe Surovikin, ish-komandant i trupave ruse në Ukrainë që sipas shumë dëshmive ishte i afërt me Prigozhin, është shkarkuar, arrestuar dhe mund të përballet me akuza (ose më keq akoma).

Së dyti, afirmimi i fundit i stilit të Putinit – qëndro i qetë në një krizë dhe vrit kundërshtarët sipas kushteve dhe kohës që cakton ti – e forcon ndoshta pozicionin e tij në një periudhë afatshkurtër. Mospërputhja dhe lëkundjet e dukshme ditën dhe menjëherë pas kryengritjes, e cila krijoi spekulime se Putini ishte i pambrojtur, tashmë është tejkaluar.

Së treti, një tiran që ruan pushtetin përmes vrasjeve dhe frikës, mund të jetë efektiv për pak kohë. Por një sundim i tillë ka një kosto për vendin. Putini ka marrë vendime të këqija, si fillimi i një lufte me Ukrainën, të cilën Rusia nuk mund ta fitojë.

Ai s’mund të paguajë asnjë kosto të menjëhershme për atë vendim (apo vendime të tjera të këqija) nëse nuk dështon në fushën e betejës. Në atë moment, ai mund të jetë i pambrojtur. Historia na ka treguar se një tiran si Putini, ka agjentë dhe shërbëtorë, por nuk ka aleatë apo miq të vërtetë.

Brian Whitmore, bashkëpunëtor në Qendrën Eurasia të Këshillit Atlantik, ndihmës/ profesor në Universitetin e Teksasit-Arlington:Për të ruajtur regjimin, Putini duhet  të menaxhojë frikën

Ka shumë pak gjasa që rrëzimi i avionit që duket se ka vrarë Prigozhin të jetë një aksident. Nëse Prigozhin nuk do të detyrohej të paguante një çmim të lartë për rebelimin e tij në qershor, regjimi i Putinit do të ishte dobësuar seriozisht. Kjo ndodh sepse regjimi i tij funksionon në thelb sipas logjikës së një organizate kriminale. Putin është kumbari. Prigozhin ishte një kapo që me sa duket nuk e dinte mirë vendin e tij.

Putini është i famshëm për natyrën e tij hakmarrëse, dhe që nga momenti kur Prigozhin ndërpreu marshimin e tij në Moskë, ai ishte një i “vdekur që ecte”. Historikisht, ndryshimet politike në Rusi ndodhin kur janë të pranishëm 3 faktorë: një elitë e përçarë, një publik i pakënaqur dhe mungesa e frikës.

Nëse Prigozhin do të ishte lënë i pandëshkuar, nga ekuacioni do të ishte hequr frika, dhe regjimi do të ishte në rrezik. Por vlen të përmenden edhe disa detaje të tjera. Në të njëjtën ditë që vdiq Prigozhin, aleati i tij i ngushtë Surovikin u lirua nga detyrat e tij si shef i Forcave Ajrore Ruse.

Dhe ndërsa u përhap lajmi mbi rrëzimin e avionit, Putini ishte i zënë me dhënien e çmimit Hero i Rusisë për ushtarët rusë drejtpërdrejt në televizion. Gazetarët rusë vunë në dukje faktin se në qershor 2022, Putin i dha të njëjtin çmim vetë Prigozhin. Pra, duket se edhe optika e eliminimit të Prigozhin është koreografizuar me shumë kujdes.

Jeffrey Cimino, bashkëpunëtor në Qendrën Scoëcroft për Strategjinë dhe Sigurinë, SHBA:Kapitulli i fundit i rebelimit të Ëagnerit nuk është shkruar ende

Vdekja e Prigozhin përfaqëson një vazhdimësi të “stuhisë” që shpërtheu në Rusi dy muaj më parë gjatë rebelimit të Grupit Wagner. Çfarë vjen më pas? A do të dalin prova që të tregojnë qartë se rrëzimi i avionit të Prigozhin ishte i qëllimshëm?

Mbështetësit e Prigozhin mund të mos kenë nevojë për prova të forta për të nxitur lëvizjen e tyre të ardhshme. Por sigurisht që dalja e provave të tilla do të thellonte më tej tensionet midis regjimit të Putinit dhe forcave apo edhe simpatizantëve të Wagner.

A do të munden forcat e Wagner të organizojnë një sfidë të madhe ndaj Putinit dhe kundërshtarëve të tyre në nivelet më të larta të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë? Forcat e Wagner po i afroheshin Moskës 2 muaj më parë. Tani shumë prej tyre janë në Bjellorusi dhe udhëheqësi i tyre duket se ka vdekur.

Dëshira dhe kapaciteti i tyre për të organizuar një sfidë të re ndaj regjimit të Putinit mbetet për t’u parë. Çfarë po ndodh aktualisht në Ukrainë? Nëse dhuna rikthehet në një afat të afërt, morali rus në vijën e parë të frontit mund të bjerë më tej, ndërsa komanda dhe kontrolli i zonave të pushtuara do të dobësohet.

Në rast se mbështetësit e Prigozhin presin kohën e tyre, mund të qëndrojnë pasivë derisa përparimi i trupave ukrainase në front ta lërë Putinin në një gjendje politike më të pasigurt, përpara se të nisin një sfidë të re ndaj regjimit. Një gjë është e sigurt: kapitulli i fundit i rebelimit të qershorit ende nuk është shkruar.

Harlan Ullman, këshilltar në Këshillin e Atlantikut:Putin do të përpiqet të distancohet duke fajësuar Ukrainën

Duke supozuar se Prigozhin dhe zëvendësi i tij Dmitry Utkin u vranë në bordin e avionit që u rrëzua të mërkurën, kjo nuk ishte diçka e rastësishme. Ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga një sabotim i qëllimshëm i projektuar nga njëri prej shërbimeve ruse të inteligjencës ruse, me urdhrin personal të Putin.

Një sulm me raketa do të zbulohej lehtë, siç ndodhi me sulmin e vitit 2014 ndaj një avioni pasagjerësh të “Malaysia Airlines”, dhe do të ishte shenjë e paaftësisë dhe marrëzisë, pasi do të fajësonte lehtësisht Kremlinin. Për Putinin, kjo ngjarje sjell disa avantazhe.

Së pari, rusët do të kuptojnë se kush ishte autori, duke u kujtua edhe njëherë se kush është në krye të vendit. Së dyti, Ukraina do të akuzohet për kryerjen e krimit, duke i dhënë Putinit një alibi të besueshme që shumë rusë do ta pranojnë. Dhe e fundit, pavarësisht nëse kjo ishte apo jo një hakmarrje, Putini luan për mbijetesën e tij në pushtet.

Marrë me shkurtime


Shtuar 25.08.2023 11:40

Tags: