Plagoset me thikë 24-vjeçari në Pogradec, arrestohet autori

Një 24-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë në Pogradec.

Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, ndërsa ka nisur hetimin në gjendje të lirë për 3 shtetas të përfshirë në konflikt.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin U. B., 22 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e një lokali, në lagjen nr. 1, Pogradec, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin R. J., 24 vjeç, banues në Pogradec, i cili ndodhet në spitalin e Pogradecit, në kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve të kryera për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. Sh., 23 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, Pogradec, F. Xh., 34 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec dhe R. J., 24 vjeç (i dëmtuari), pasi gjatë konfliktit e kanë goditur me grushte 22-vjeçarin U. B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

/Albeu.com/


Shtuar 25.08.2023 09:24