I qetë dhe i vendosur, Armando Broja pritet të grumbullohet për ndeshjen e Premier League

Në dukje nuk e prish qetësinë.

Armando Broja u kthye në stërvitje me ekipin e parë të Chelsea, duke firmosur autografe për një fondacion të fëmijëve me probleme, ndërsa shpreson që t’u japë fund problemeve të tij.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk është aktivizuar asnjë minutë deri tani këtë sezon, diçka që i rrezikon vendin në kombëtare për ndeshjet e Europianit, por në Angli presin që situata të ndryshojë. Mediat ishullore shkruajnë se Broja ka shumë mundësi të grumbullohet në skuadër për ndeshjen e kësaj të premteje në Premier League.

Çelsi pret Lutonin në “Stamford Bridge” dhe trajneri Mauricio Pochettino mund t’ia bëjë më në fund 21-vjeçarit dhuratën që ai e pret prej kohësh. Ndërsa, ka nisur të stërvitet bashkë me shokët, Broja shpreson të ketë më shumë sesa thjesht të jetë pjesë e bluve të Londrës, por edhe që të aktivizohet.

Sulmuesi kuqezi është në garë me kohën, pasi nuk ka luajtur asnjë minutë në ndeshje zyrtare apo miqësore që kur u dëmtua dhjetorin e kaluar. Kjo mund të bëjë që trajneri i kombëtares, Sylvinho, të mos e thërrasë në ekip për dy ndeshjet eliminatore të Europianit, ndaj Çekisë në Pragë në 7 shtator, dhe kundër Polonisë në “Arenën Air Albania” në datën 10.


Shtuar 24.08.2023 14:58