KE i kapi me “presh në duar”, ndërtoi bujtinë me fondet e IPARD , Florenc Gjikuria refuzon kthimin e parave

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i ka kërkuar kompanisë Coast to Coast, në pronësi të familjes Gjikuria, që të kthejë paratë e përfituara si grant nga fondet e BE-së për shkak se nuk ka respektuar kushtet e kontratës. Por kompania ka refuzuar t’i kthejë paratë mbrapsht dhe tashmë AZHBR e ka dërguar çështjen në gjykatë.

Në një përgjigje për portalin Amfora.al, AZHBR thotë se janë disa kompani apo persona fizikë, të cilëve u është kërkuar kthimi i parave për mosrespektim të kushteve të kontratës.

“Në kuadër të Programit IPARD II deri më tani, AZHBR ka hapur 8 procese gjyqësore për kthimin e shumës së përfituar nga subjektet që kanë marrë parapagesë për realizimin e investimit, por që nuk e kanë realizuar brenda afateve të përcaktuara në kontratë ose kanë abuzuar sipas sugjerimeve të auditimit,” thuhet në përgjigjen zyrtare që AZHBR i ka kthyer portalit Amfora.

Sipas dokumentave zyrtarë, Coast to Coast përfitoi rreth 204 mijë euro grant për restaurimin e 5 banesave në fshatin Dhërmi dhe shndërrimin e tyre në bujtina me 24 shtretër. AZHBR nuk saktëson se çfarë kushtet ka shkelur kompania, por konfirmoi zyrtarisht se ka kërkuar kthimin e parave.

Coast to Coast

E themeluar në vitin 2009 nga Florenc Gjikuria dhe Jorgji Ruci, Coast to Coast ka ndërruar disa herë ortakë që nga ajo kohë. Madje në një moment, aksioner i saj ka qenë dhe Besnik Dervishi, ish zyrtar i lartë i maxhorancës, aktualisht në postin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Aktualisht kompania zotërohet në masën 100 për qind nga Xheni Gjikuria dhe ka si objekt aktiviteti “Zhvillimi i aktiviteteve te ndryshme ne fushen e turizmit,bar- restorant, hoteleri, dhenie me qera e transaksione te tjera mbi pasuri te paluajtshme (real estate) etj..”

Në vitin 2019, kompania lançoi një investim me vlerë totale rreth 320 mijë euro me kursin e atëhershëm. Nga këto, AZHBR dhe shteti financuan me grant falas 230 mijë euro.

Objekti i investimit siç përshkruhet në dokumentat e AZHBR është “investime për rikonstruksion dhe mobilim në fushën e turizmit rural.” Foto tregon investimin e realizuar.

Në objektin e aktivitetit, që shoqëria Coast to Coast ka depozituar në Qëndrën Kombëtare të Biznesit nuk gjendet asnjëra prej fjalëve, fermë, bujqësi, serë apo blegtori.

Hetimet e OLAF

Pak javë me parë Oligarkia.al publikoi letrën përmes të cilit Bashkimi Europian njoftonte qeverinë shqiptare për ndërprerjen e fondeve për bujqësinë për shkak të korrupsionit në AZHBR dhe abuzimeve me paratë. Ky vendim erdhi pas një hetimi tre vjeçar të OLAF, zyrës kundër mashtrimeve të BE

“Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj,” shkruhej në letrën e Komisionit Europian për qeverinë shqiptare.


Shtuar 19.08.2023 12:01