Prej muajsh banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër, kundërshtojnë projektin e ujësjellësit të bashkisë për Maqellarën.
Ndërkohë tri ditë më parë banorët theksojnë se policia i ka larguar forcërisht, duke tentuar të shuajë protestën.
Të lidhura
None found
Banorët akuzojnë uniformat blu se janë dhunuar, ndërsa tregojnë se kanë përfunduar edhe në spital. Një prej tyre është edhe 65-vjeçarja Meliha Meta, e cila tregon se teksa po kundërshtonte policinë është rrëzuar dhe turma e ka shkelur me këmbë.
Si pasojë e lëndimeve ajo ka marrë trajtim mjekësor në spitalin e Dibrës, pasi ka dëmtuar këmbën e majtë. Një tjetër banore që deklaron dhunën e ushtruar ndaj saj nga uniformat blu është edhe Miranda Koçi. Kjo e fundit thotë se ndërhyrja e policisë ishte e dhunshme, ndonëse ata po mbrojnë një të drejtë të tyren. Gjithashtu bëhet me dije se disa persona u shoqëruan në komisariat dhe u mbajtën disa orë.
Banorët e Kërçishtit të Epërm insistojnë që të mos preken burimet ujore të fshatit të tyre, pasi ato nuk mjaftojnë për nevojat e fshatit e jo më të dërgohen në fshatrat e tjerë. Sipas banorëve, pushteti vendor nuk ka bërë asnjë konsultim publik për projektin, duke hedhur hije dyshimi për të./BW
