Policia ka arrestuar një 20-vjeçar në Durrës, të identifikuar si Kristjan Prenga, i cili ka hyrë i maskuar dhe me armë në një market, për të grabitur. Ai është arrestuar në flagrancë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, me të cilën kanosi 20-vjeçari, për të kryer vjedhjen.
Njoftimi i policisë:
Plazh, Durrës/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon kryerjen e një vjedhjeje me armë zjarri, ngjarje e cila mund të sillte pasoja për jetën e disa qytetarëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Alarmi”, sekuestrohet një armë zjarri pistoletë.
I maskuar dhe i armatosur, hyri gjatë natës, në një market në shërbim, me qëllim vjedhjen e parave në kasë, arrestohet në flagrancë, brenda marketit, 20-vjeçari.
Pas marrjes së njoftimit se rreth orës 21:50 të mbrëmjes së djeshme, një shtetas i maskuar dhe i pajisur me armë zjarri, kishte hyrë në një market në lagjen nr.13, gjatë kohës që ky subjekt ishte në shërbim, për të vjedhur, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të Policisë, në kuadër të operacionit policor “Alarmi”, u parandaluan ngjarje që mund të sillnin pasoja për jetën e shtetasve që ishin të pranishëm në këtë subjekt, si dhe u arrestua në flagrancë, brenda marketit, pa kryer ende vjedhjen, autori i këtij rasti, shtetasi , 20 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, me të cilën kanosi 20-vjeçari, për të kryer vjedhjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com