Portugalia nën pushtetin e zjarreve, mbi 1000 zjarrfikës në luftë me flakët

Më shumë se 1,100 zjarrfikës dhe 14 avionë po luftojnë për të shuar një zjarr në pyll në rajonin Castelo Branco të Portugalisë qendrore.

Shërbimi i mbrojtjes civile ka paralajmëruar se për shkak të kushteve të motit dhe nxehtësisë, e kombinuar me erërat e forta mund të duhen disa ditë për të shuar dhe për të vënë nën kontroll zjarrin.

Tymi i zjarrit arriti në Fatimën, Kishën e Virgjëreshës Mari ku sot ishin mbledhur qindra mijëra mbështetës për të pritur dhe dëgjuar Papa Françeskun.

Fatima është rreth 100 kilometra nga zona që i është dorëzuar flakëve.

Zjarri deri më tani ka djegur rreth 60 kilometra katrorë pyje dhe kullota. Për arsye paraprake u urdhërua evakuimi i 100 banorëve.

Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme në banesa.

Komandanti i Mbrojtjes Civile Jody Rato tha se zjarri filloi të premten pasdite në një zonë të largët.

Sipas shërbimit meteorologjik, temperatura nesër në Castelo Branco do të arrijë në 40 gradë Celsius, nga 38 sot.

Alarmi është ngritur edhe në kryeqytetin Lisbonë, ku nesër, në ditën e fundit të vizitës së Papës në vend, temperaturat pritet të shkojnë në 41 gradë.

Gushti është zakonisht muaji më i nxehtë i vitit për Portugalinë./Albeu.com/


Shtuar 5.08.2023 22:35