Shiti bagëtitë dhe mbolli hashash, i moshuari: Nuk kisha me çfarë të paguaja operacionin

“E kam mbjellë kanabisin për arsye shëndetësore, pasi do t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirugjikale dhe operacioni kushton shtrenjtë”.

Kështu e nisi rrëfimin në gjykatë 72-vjeçari Vesel Xhaferri, i cili i vendosi trupës gjyqësore ekspertizat që vërtetonin se ai vuante nga diabeti dhe se priste ndërhyrje kirurgjikale pas infarktit.

I moshuari shtoi se vendosi të mos mbjellë me perime në bahçen e shtëpisë, me të cilat sipas tij vetëm mbijetonte, por nuk arrinte të blinte as ilaçet.

I moshuari u justifikua në gjykatë me shkaqet shëndetësore dhe ekonomike, që e shtynë të kthehet në një kultivues droge dhe me këtë arsyetim ai kërkoi ndryshim të masës së sigurisë.

72-vjeçari tregoi se si bleu 140 fara hashashi për 500 euro, të cilat i kishte siguruar vetëm pasi kishte shitur bagëtitë.

Gjatë gjykimit u konstatua se i dyshuari si kultivues, nuk kishte mundësi ekonomike për të paguar një avokat, ndaj gjykata i ofroi një avokat falas nga shteti, sipas Tch.

Përpara se të arrestohej, Vesel Xhaferri  jetonte në fshatin Fushë Thumanë, bashkia Krujë dhe sipas prokurorisë në vend të perimeve në serë ai kishte kultivuar 85 bimë cannabis sativa.


Shtuar 5.08.2023 20:45