Shqiptarët në krye, shkatërrohet banda e drogës në Spanjë, 9 të arrestuar

Policia spanjolle ka arrestuar 9 persona të cilët ishin pjesë e një bande me drejtues shqiptarë, të dedikuar për kultivimin e marijuanës dhe dërgimin e saj më pas në vendet evropiane. 8 prej tyre janë dënuar me burg nga gjykata.

Hetimet nisën në dhjetor të vitit të kaluar, kur Garda Civile mori informacion për praninë e një organizate kriminale me origjinë shqiptare të dedikuar për kultivimin e marijuanës në ambiente të mbyllura në provincën e Alicante.

Pas vëzhgimeve të kujdesshme, policia arriti të identifikojë anëtarët e grupit kriminal dhe të zbardhin rolet dhe funksionet e tyre.

Në krye të bandës ndodhej xhaxhai dhe nipi i tij, të dy shqiptarë dhe të konsideruar si drejtues të grupit, të cilët kishin edhe një Urdhër arresti europian nga autoritetet gjyqësore italiane për akte të ngjashme.

 

 

Nën komandën e tij, ishin pesë persona të ngarkuar për mbikëqyrjen dhe kujdesin e plantacioneve, duke garantuar gjithashtu sigurinë kundër grabitjeve të mundshme nga bandat e tjera. Dy persona të tjerë ishin në krye të detyrave logjistike.

Gjatë katër kontrolleve të njëkohshme që u kryen në Alicante, Altea dhe Castalla, organizata kriminale u çmontua. U arrestuan nëntë burra me kombësi shqiptare, greke dhe italiane, të moshës nga 21 deri në 58 vjeç. Gjithashtu, janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1592 bimë marihuanë, 1005 euro para të gatshme, material për kultivim dhe 2 automjete të tipit të lartë.

Në momentin e arrestimit, njëri prej drejtuesve tentoi të ikte nga një ballkon, por më në fund u ndalua nga agjentët në tarracën e një shtëpie aty pranë.


Shtuar 3.08.2023 17:45