Një vit nga tragjedia e Himarës, Balla paralajmëron drejtuesit e mjeteve lundruese: Nuk do të ketë asnjë tolerim

Në një vjetorin e tragjedisë së Himarës, ku mbeti e vrarë vogëlushja Joniada Avdiaj, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë thirrje për zbatimin e rregullave nga mjetet lundruese.

Në një postim në “Facebook”, Balla shkruan se nuk do të ketë asnjë tolerim, teksa fton qytetarët të denoncojnë parregullsitë.

“Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë në krye të detyrës për të monitoruar plazhet ku po pushojnë qytetarë të shumtë vendas dhe të huaj. Dua t’i kujtoj përdoruesve të mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë ujore për plazhisët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete. Nuk do të ketë asnjë tolerim në asnjë rrethanë dhe për askënd.

Ftoj qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke i’u garantuar reagim të shpejtë, me forcën e ligjit”, shkruan Balla.


Shtuar 2.08.2023 18:15