Balla takim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë: Ndëshkim çdo magjistrati që shkel ligjin

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ditën e sotme ka zhvilluar një takim me Inspektorin e Lartë të  Drejtësisë, Artur Metani.

Gjatë takimit, ministri Balla i shprehu Metani shqetësime, lidhur me disa vendimmarrje të magjistratëve, në kuadër të hetimit apo gjykimit të veprave penale kundër mjedisit, duke vënë theksin tek procedimet në rastet e zjarrvënies.

Gjithashtu Balla shprehu shqetësimin e tij lidhur me shmangien në disa raste të ndëshkimeve të ashpra në rastet e armë-mbajtjes pa leje.

Nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Metani u shpreh angazhimi maksimal i verifikimit të rasteve të tilla, si dhe trajtimi i tyre me prioritet. Metani garantoi se çdo magjistrat që shkel ligjin do të ndëshkohet, në përputhje me parimet dhe rregullat e legjislacionit në fuqi dhe se çdo proces do të zhvillohet në përputhje e respekt për rolin dhe pavarësinë e tyre.

Gjatë bashkëbisedimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Ministri i Brendshëm bashkëndanë vullnetin e dy institucioneve që drejtojnë, për rritjen e bashkëpunimit, duke theksuar nevojën për shkëmbimin e informacioneve apo të dhënave në rrugë zyrtare, mbi sjellje apo vendimmarrje konkrete të magjistratëve, të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore dhe duhet të trajtohen nga ana e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë./Albeu.com 


Shtuar 2.08.2023 10:35