Mashtronin shtetas grekë dhe italianë, zbulohet “Call Center-i” i paligjshëm në Selitë, 6 të arrestuar

Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit ka zbuluar një call center të paligjshëm në zonën e Selitës.

Në pranga kanë rënë 6 persona (mes tyre përgjegjësi i firmës dhe shefja e personelit).

Shpallet në kërkim administratori i këtij subjekti.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 101 kompjuterë, 2 laptopë, 1 DVR dhe 10 celularë, që u gjetën në ambientet e call center-it.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. M., 35 vjeç, me detyrë përgjegjës i firmës, P. R., 29 vjeçe, me detyrë shefe e personelit të firmës, D. T., 27 vjeç dhe A. B., 36 vjeç, të katërt banues në Tiranë, si dhe shtetasit E. J., 29 vjeç dhe F. Z., 34 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim administratori i këtij subjekti, shtetasi J. M., 31 vjeç.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasit që u gjetën në këtë subjekt ishin punësuar në mënyrë të paligjshme dhe mashtronin shtetas të huaj, kryesisht italianë dhe grekë, që të investonin para në tregje fiktive.

Gjatë kontrollit në ambientet e këtij subjekti janë gjetur 101 kompjuterë, 2 laptopë, 1 DVR dhe 10 celularë, të cilët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”./Albeu.com/


Shtuar 2.08.2023 09:50