Partia Demokratike zyrtare do të mbajë sot zgjedhjet për kryetarin e saj, ku në garë është ish drejtuesi i dorëhequr një vit më parë Lulzim Basha dhe Gjergji Hani, ish i përndjekur politik, pa ndonjë funksion të mëparshëm në ndonjë strukturë të PD.
Rezultati, qartazi pritet të konfirmojë Bashën, por procesi ka çuar në një çarje të thellë në gjirin e atyre demokratëve të cilët deri më tani, ishin rreshtuar kundër grupimit të udhëhequr nga ish kryeministrit Sali Berisha.
Dalja në publik, pas një mungese të gjatë, e ish kryetarit demokrat Lulzim Basha, më 24 maj, në një takim me të rinjtë në Tiranë dhe paralajmërimi i një turi bashkëbisedimi nëpër Shqipëri, u lexua si preludi i rikthimit të tij në krye të Partisë Demokratike zyrtare. E sfilitur më së shumti nga përplasjet e gjata me grupimin e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, se sa me socialistët në pushtet, përballja me të cilët rezultoi dërrmuese në zgjedhjet vendore të 14 majit, kjo forcë politike ndodhej në momentet e një paqartësie edhe më të madhe, pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeaj, i cili kishte mbajtur drejtimin e saj.
Pas disa daljeve televizive askush nuk e ka të qartë se si u organizua fushata e tij, ndërkohë që dhe zoti Basha, i qëndroi disi larg publicitetit. Por nëse rruga për rikthimin e tij mbeti e hapur, procesi në vetvete provokoi një përçarje të re në gjirin e atyre që i mbetën besnikë Partisë Demokratike zyrtare.
Që në fillim u shfaqën hapur dy rryma, njëra e mbështetur në dukje nga pjesa më e madhe e grupit të deputetëve, për një proces të shtrirë në kohë e që do duhet të niste me riorganizimin e bazës, dhe pjesa tjetër, shumica e kryesisë, që këmbënguli për mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve.
Mbledhja e kryesisë e zhvilluar për orë të tëra gjatë natës së 6 qershorit deri në orët e para të mëngjesit të së nesërmes, prodhoi tensione të forta brenda dhe jashtë zyrave. Pas vendimit për të mbajtur zgjedhjet më 29 korrik, nënkryetarja Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga ky pozicion, ndërsa kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, dikur krahu i djathtë i Bashës u shfaq kategorikisht kundër.
Mes palëve nisi një betejë ky hynë në lojë statuti dhe rregulloret, për të cilat palët akuzonin njëra tjetrën se po i shkelin ato. Me 18 korrik kryesia vendosi që administrimi i vulës së partisë t’i hiqet Bardhit, i cili gjithnjë e më shumë po shihej prej shumicës së saj, si personi, që mendohet të ketë bërë një pakt të heshtur me Berishëm. Pak ditë më pas Bardhi njofton thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar për në datë 27 korrik.
Ky akt u konsiderua si shkelje nga Komisioni i Etikës në Partinë Demokratike, duke e quajtur të pavlefshme thirrjen e Këshillit. Kundërpërgjigja e Bardhit, pas organizimit të mbledhjes së Këshillit online, ishte shpërfillëse, dhe pas mbledhjes së Këshillit e cila u zhvillua online, ai deklaroi “anulimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD, të njoftuar për më datën 29 korrik. Pezullimin e veprimtarisë statutore të kryesisë së PD, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj”.
Me të njejtën monedhë reagoi pala tjetër. “I urojmë zotit Bardhi suksese, për krijimin e parë të partisë dixhitale në vend. Eshtë një hap inovativ që duhet përshëndetur. PD nga ana e saj do të vijojë normalist procesin e reformimit dhe të zgjedhjes së kryetarit të saj më 29 korrik”, deklaroi Indrit Sefa, sekretar për Çështjet ligjore në PD.
Prej ditës së sotme Basha pritet të quhet sërish kryetar i Partisë Demokratike, por këtë herë ai gjen një forcë politike shumë më të vogël, me vetëm 25 mijë anëtarë të rregjistruar për të marrë pjesë në votim, e për më tepër me një grup parlamentar të ndarë në copa.