FBI paralajmëron për vjedhje nga Kina të teknologjisë amerikane të Inteligjencës Artificiale

Kina po vjedh teknologjinë e Inteligjencës Artificiale të zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara për të ushqyer aspiratat e veta dhe për të kryer operacione të shtrirjes së ndikimit të saj, thanë të premten zyrtarë të lartë të FBI-së.

Zyrtarët thanë se Kina dhe kundërshtarët e tjerë të Shteteve të Bashkuara po vendosin në shënjestër bizneset amerikane, universitetet dhe qendrat kërkimore qeveritare për të marrë në dorë studimet dhe produktet më të fundit të Inteligjencës Artificiale.

“Shtetet kundërshtare, veçanërisht Kina, përbëjnë një kërcënim të madh për kompanitë amerikane dhe sigurinë kombëtare, duke vjedhur teknologjinë dhe të dhënat tona të Inteligjencës Artificiale për të avancuar programet e tyre të kësaj teknologjie dhe për të mundësuar fushata të ndikimit të huaj”, tha një zyrtar i lartë i FBI-së gjatë një bisede informuese me gazetarët.

Kina ka një plan kombëtar për të kapërcyer Shtetet e Bashkuara si fuqia më e madhe e inteligjencës artificiale në botë deri në vitin 2030, por zyrtarët amerikanë thonë se pjesa më e madhe e përparimit të saj bazohet në teknologjinë e vjedhur amerikane.

“Ajo që ne po shohim janë përpjekje nëpër vektorë të shumtë, nëpër industri të shumta, nëpër rrugë të shumta për të kërkuar dhe përvetësuar teknologjinë amerikane … për të qenë në gjendje të rikrijojnë, zhvillojnë dhe avancojnë programet e tyre të Inteligjencës Artificiale”, tha zyrtari i lartë i FBI.

Konferenca e shypit kishte për qëllim të jepte pikëpamjen e FBI-së për peizazhin e kërcënimit, jo për të reaguar ndaj ndonjë ngjarjeje specifike të fundit, thanë zyrtarët.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray dha alarmin për synimet e Kinës lidhur me Inteligjencën Artificiale në një takim të sigurisë kibernetike në Atlanta të mërkurën. Ai paralajmëroi se pas “viteve të tëra duke vjedhur si teknologjinë tonë ashtu edhe rezervat masive të të dhënave”, Kina është e pozicionuar mirë “për të përdorur fuqinë e saj të gjerë kibernetike, me Inteligjencën Artificiale, në përpjekje edhe më të fuqishme hakerimi”.

Kina i ka mohuar akuzat.

Zyrtari i lartë i FBI-së në konferencën me gazetarët tha se ndonëse FBI-ja mbetet e përqëndruar në blerjet e huaja të teknologjisë dhe talentit të Inteligjencës Artificiale të Shteteve të Bashkuara, ajo ka shqetësime për kërcënimet e ardhshme nga kundërshtarët e huaj që e shfrytëzojnë këtë lloj teknologjie.

FBI-ja ka paralajmëruar se ekstremistët e dhunshëm dhe terroristët po eksperimentojnë me përdorimin e mjeteve të ndryshme të Inteligjencës Artificiale për të prodhuar eksplozivë.


Shtuar 29.07.2023 07:19