Arrestimi i Pëllumb Gjokës, Berisha: Bandit, ka grabitur 100 mijë m2 në Velipojë me ndihmën e Ramës (VIDEO)

Arrestimin e binzementi Pëllumb Gjoka me urdhër të SPAK e ka komentuar sot ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha hodhi akuza ndaj tij duke e cilësuar bandit e kriminel, i cili sipas tij ka vjedhur 100 mijë metra katrorë tokë në Velijojë me ndihmën e kryeministrit Edi Rama.

“Sot është njoftuar arrestimin e disa krerëve të botës së krimit shtetëror dhe të lidhur me shtetin. Sot është arrestuar Pëllumb Gjoka një nga banditët kryesor një njeri që me ndihmën e Edi Ramës ka grabitur ndoshta rreth 100 mijë m2 në Velipojë. Akuzohet edhe me vrasje njerëzish. Pëllumb Gjoka ka një motel këtu të cilin Edi Rama i ka dhënë apo donte ti jepte 5 yje dhe kazinonë. Pëllumb Gjoka ishte po aq i afërt me Edi Ramën sa dhe vetë Damian Gjiknuri. Mbi Plumbin ishte Bistri. Bistri është një nga eksponentët kryesor të krimit në Shqipëri dhe në Ballkan drejtonte drejtorinë operacionale të policisë së shtetit. Është një hajdut ordiner tek autor i të gjitha llojeve të dhunimit të ligjit. Ky është vetëm fillimi i SKY regjistrimit” tha Berisha.

Kujtojmë se policia e Shtetit ka ekzekutuar 6 urdhër-arreste të lëshuara nga SPAK

Kush janë personat e arrestuar:

1. Oltion Bistri- Specialisti i Drejtorisë së Krimeve në Volum, Oltion Bistri sapo ishte emëruar në këtë pozicion. Deri para shumë pak ditësh ai mbante postin e Shefit të Operacionales detyrë që e mori në shkurt të vitit 2022. Në vjeshtën e vitit 2021, ka qenë me detyrë në Policinë e Lezhës ndërsa ka drejtuar edhe atë të Durrësit.

2. Xhevahir Lita- Prokuror i qarkut Kukës. Ai e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.

3. Astmer Bilali- Anëtar i bandës së Bajrave dhe ish boksier i Vllazënisë. Astmer Bilali, ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Ai u arrestua në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër nga FNSH dhe RENEA, si pjesë të “Bajrave”, e ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale. Vetëm pak kohë më parë, iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babi dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali.

4 .Ardit Hasanbenga- Ish Shefi i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat. Ai u shkarkua nga policia në nëntor të vitit te shkuar pas shkarkimit të zinxhirit komandues të policisë së Beratit. Kjo u bë pas zbulimit të serave me kanabis në këtë qark, në fshatin Rërëz

5. Pëllumb Gjoka- Njihet si biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë. Ai gjithashtu drejton edhe Imperial Construction, plazhin ADA në Velipojë dhe një sërë biznesesh po në këtë zonë.

6. Edmond Lika- Shoqërues i biznesmenit, Pëllumb Gjoka

Ende nuk është konfirmuar se çfarë shkeljesh kanë kryer këta persona, por operacioni ka qenë shumë i gjerë dhe priten edhe 9 arrestime të tjera. Priten të dhëna të tjera më të hollësishme për këtë operacion, por kryesisht SPAK preferon të mbajë hermetik informacionin deri në përfundim të një procesi.


Shtuar 27.07.2023 13:10