Dyshojnë se nuk është zemra e të ndjerit, familjarët e Saimir Sulës kërkojnë t’i bëhet testi i ADN-së

Pas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë se është riatdhesuar organi i zemrës së të riut Saimir Sula, familjarët nuk janë të bindur që zemra është e tij, pa iu bërë testi i ADN. Motra e Saimirit, Majlinda Sula, bashkë me familjarë e të afërm të tjerë janë mbledhur në protestë këtë të mërkurë para Parlametit Europian në Bruksel, duke bërë thirrje për zbardhje të ngjarjes. Ata kanë kërkuar nga Ursula Von Der Leyen, Roberta Metsola, Suela Salavaçi dhe Edi Rama që të ulen dhe të bisedojnë, ndërsa njoftimet e Ministrisë së Drejtësisë i konsiderojnë të rreme.

Sa i përket njoftimit për riatdhesimin e zemrës, familjarët nuk janë vënë në dijeni dhe janë lënë në pritje prej orësh para Institutit te Toksikologjise në Barcelonë, duke mos i lejuar të hyjnë, edhe pse në njoftimin e ministrisë shkruhej se procedura do të kryhet në prani të familjarëve të Saimir Sulës dhe institucioneve zyrtare nga Shqipëria dhe Spanja, të përfshira në këtë çështje.

Pikëpyetje të shumta ngrihen mbi këtë ngjarje, pasi lajmërimi për sjelljen e zemrës vjen plot tre vite pasi trupi i të riut që ndërroi jetë në Spanjë u riatdhesua pa organin jetësor. Familjarët e të riut gjatë kësaj kohe kanë zhvilluar beteja ligjore me denoncime në prokurorinë e Tiranës për trafikim organesh, si dhe protesta të shumta në Shqipëri, Spanjë dhe institucione të BE në Bruksel, ku edhe kanë kërkuar test ADN-je për t’u siguruar se zemra që do të marrin në dorëzim është vërtet e Saimir Sulës.

Kujtojmë se i riu ndërroi jetë në maj të vitit 2020 në spitalin del Mar në Barcelonë, por kur trupi i tij u riatdhesua, ekspertët mjekësisë ligjore në Tiranë zbuluan se mungonte organi i zemrës.


Shtuar 19.07.2023 22:17