PD-ja kërkon interpelancë me Ramën për çështjen e Ahmetajt

Grupi i PD-së zhvilloi sot një mbledhje, nga ku vendosën të kërkojnë interpelancë me kryeministrin, Edi Rama në lidhje me çështjen e Arben Ahmetajt.

Gazment Bardhi bën me dije se kanë kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama të enjten e 20 korrikut për të sqaruar aferën e inceneratorëve. Kërkesa e grupit të PD i është dorëzuar kryetares së Kuvendit.

“Opinioni publik gjatë këtyre ditëve është tronditur nga faktet që SPAK ka zbuluar në lidhje me Ahmetaj ndërsa përgjegjësia penale tashmë është çështje drejtësie se prokurorisë ndaj gjykatës. Do të duhet që zv.kryeministri të japë llogari dhe të ofrojmë opinionin publik sesi me paratë e buxhetit të shtetit po financohet arratia e mafiozëve të aferës së inceneratorëve. Edhe pse janë shpallur në kërkim ndërkombëtar ata vijojnë të marrin para nga buxheti i shtetit. Sipas rregullores kërkesë për interpelancë urgjente është e detyrueshme. Ka një kërkesë të një grupi kolegësh për mocion me debat. Gjej rastin të thirret konferenca e kryetarëve në lidhje me diskutimin për aferën e inceneratorëve. Të enjten në votim një ligj siç është legalizimi kanabisit. Diskutimi mbi ligjin e kanabisit është bërë në shkelje të rregullores së Kuvendit.”, tha Bardhi.

Kujtojmë se Kuvendi miratoi të premten vendimin për heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt, duke i hapur kështu rrugën për arrestimin e deputetit. Kërkesa e SPAK-ut oër arrestimin e Ahmetajt u votua me 117 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim.

Një javë më parë Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza, më e rënda ajo për korrupsion.

Në dosjen voluminoze prej 320 faqesh krahas Ahmetajt rezultojnë të përfshirë për aferën e inceneratorëve edhe persona të tjerë, ndaj SPAK i kërkoi Kuvendit që seancat e Këshillit të Mandateve të mbaheshin pa praninë e medias. Ndërkaq kujtojmë se vetë Arben Ahmetaj ka reaguar dy herë në lidhje me akuzat ndaj tij./albeu.com/