Kuvendi miratoi sot kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt. Kërkesa u votua me 117 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim.
Ditën e djeshme, në seancë plenare, opozita kërkoi që të diskutohet sa më shpejt raporti për Arben Ahmetajn.
Por mazhoranca kundërshtoi duke thënë se do të ndjekë procedurën dhe këtë çështje do ta diskutojë të hënën e 17 Korrikut, ashtu siç ishte vendosur fillimisht.
Ndërprerjet e vazhdueshme të seancës dhe protestat e deputetëve opozitarë detyruan socialistët të kërkonin mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe në përfundim u vendos që seanca të mblidhej sot.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza, më e rënda ajo për korrupsion.
Në dosjen voluminoze prej 320 faqesh krahas Ahmetajt rezultojnë të përfshirë për aferën e inceneratorëve edhe persona të tjerë, ndaj SPAK i kërkoi Kuvendit që seancat e Këshillit të Mandateve të mbaheshin pa praninë e medias.
Ndërkaq kujtojmë se vetë Arben Ahmetaj ka reaguar dy herë në lidhje me akuzat ndaj tij.
Ahmetaj reagoi dje për emisionin për Blendi Fevziun në emisionin “Opinion” dhe sot nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetin e tij social Facebook.
Teksa u ka kërkuar falje votuesve të tij, familjes dhe të afërmve, Ahmetaj ka paralajmëruar se do të mundohet të nxjerrë ditë pas dite të vërtetat në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij.
/albeu.com/