“Para një jave ishte në Angli”, gazetarja zbulon vendndodhjen e Ahmetajt

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri dhe lajmin e ka konfirmuar avokati i tij Henrik Ligori, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit.

Pas 4 orësh diskutime, mbledhja u shty për ditën e nesërme në orën 16:00.

Sakaq, gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar se Ahmetaj ka udhëtuar një javë më parë drejt Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa është kthyer dhe është larguar sërish.

E ftuar në “Open”, ajo tregoi se ish-ministri është larguar nga vendi ditën e premte drejt një vendi të Bashkimit Evropian, por pa konfirmuar se ku ndodhet konkretisht ish- zv. kryeministri i vendit.

“Ahmetaj ka udhëtuar drejt një vendi të Bashkimit Evropian të premten. Ka qenë një javë më herët po ashtu në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar. Është kthyer dhe ka udhëtuar sërish jashtë vendit. Ka dalë nga territori por nuk e di vendin ku ndodhet, nuk do të thotë që ai një ditë mos të kthehet. Si njeri i pushtetshëm nëse do të donte të përballej në Këshillin e Mandateve mund të kthehej. Uroj mos të zgjedhë rrugën e largimit pasi ka mbajtur poste të rëndësishme, të japë shpjegime dhe prova, largimi e bën njeri të dyshuar dhe merr me vete barën e fajtorit. Policia deri më sot nuk ka pasur arsye ta kontrollojë, më lë një shije të hidhur gjithë kjo”, u shpreh ajo./Albeu.com


Shtuar 11.07.2023 22:26