Një javë para konfliktit të dhunshëm ku anëtarët e familjes Rraja dhunuan banorët e Borizanës që protestuan për dëmtimin e shtëpive nga shpërthimet në gurore, një prej personave të shpallur në kërkim për ngjarjen, ka nisur biznesin në zonë. Sipas Report Tv, më 29 qershor 2023, Flamur Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, ka blerë kompaninë “INERT 07”, e cila ka për objekt prodhim tregtim, materiale inerte e ndertim parafabrikate, gur gelqeror, etj
Flamur Rraja është bërë kështu administrator i subjektit deri në vitin 2028, pasi ka blerë 45.05% të kapitalit nga ortaku Lulzim Haka, 17.5% të kapitalit nga ortaku Luan Shehu dhe 37% të kapitalit nga aksionari Gani Farruku. Më 6 korrik Flamur Rraja ishte mes personave që dhunuan në një lokal në Krujë, Bilbil e Jashar Majën pas protestave të këtyre të fundit për guroren e Përparim Rrajës e cila sipas tyre dëmtonte banesat në Borizanë.
Ditën e djeshme Gjykata caktoi masën “arrest me burg” për tre nga katër personat e arrestuar për dhunën barbare në Krujë ndaj 2 qytetarëve, katër ditë më parë.
Ineidi Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj u lanë në “arrest me burg”, teksa pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, Kujtim Bërdaku u la me masën “detyrim paraqitje”.
Gjithashtu policia njoftoi dje mbylljen e gurores “Delia Group” në pronësi të Xhelal Rrajës në Borizanë të Krujës.
Bllokimi i gurores erdhi 3 ditë pas ngjarjes së rëndë ku anëtarë të fisit Rraja së bashku me të birin e deputetit të dorëhequr të PS-së, Rrahman Rraja, dhunuan kushërinjtë Maja.
Kujtojmë se deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dha dorëheqjen pas dhunës që familjarë të tij ushtruan ndaj Jashar dhe Bilbil Majës tre ditë më parë. Dorëheqja e Rrahman Rrajës nga mandati i deputetit erdhi 48 orë pas dhunës barabare që djali dhe vëllezërit e tij ushtruan ndaj dy kushërinjve Maja në aksin Thumanë-Fushë Krujë, për shkak se këta të fundit ishin ankuar për guroren e tyre, pasi po ju shkatërronte banesat.
Kjo ngjarje e rëndë gjithashtu bëri që opinioni publik të reagonte ashpër edhe ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit, të cilët ditën e parë pas shoqërimit të autorëve të dhunës, i lanë këta të fundit të lirë. Ndërsa një ditë më pas i shpallën në kërkim, pasi vunë re në video se dhuna barbare ju kishte rrezikuar jetën seriozisht dy anëtarëve të familjes Maja./albeu.com/