Sherr në Kuvend, Berisha: Po shpartalloni Fakultetin e Mjekësisë, Balla: Mjek varkëtar i Enver Hoxhës

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka debatuar ashpër sot në Kuvend me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Miratimi me procedurë të përshpejtuar për projektligjin për studentët e mjekësisë ka sjellë përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, pasi kjo e fundit është kundër detyrimit që studentëtëtë punojnë pesë vite në Shqipëri dhe më pas të largohen.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Sali Berisha e cilëson ndëshkim për studentët projektligjin e qeverisë që të bëjnë 5 vite punë për të marrë diplomën e mjekësisë.

“Me këtë ligj ju shkatërroni edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë. Shkatërroni Fakultetin e Mjekësisë. Ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zona periferike. Doni të shpartalloni Fakultetin e Mjekësisë. U bëj thirrje studentëve të fakulteteve të tjera dhe prindërit që t’i mbështesin”, tha Berisha.

Si rrjedhojë Taulant Balla i është përgjigjur Sali Berishës, duke iu referuar si “mjeku varkëtar i Enver Hoxhës që ka mbetur jetim se s’i shkon njeri nga mbrapa”.

“Mjeku varkëtar i Enver Hoxhës dhe familjes së tij, i ngelur jetim që nuk i shkon mbrapa më askush dhe sic e thashë në mëngjes, ju jeni të gatshëm të tërhiqni ose të gënjeni këdo, mjafton të bëhen 10-15 veta për një protestë. Gënjeu pa pikë turpi si e ka zakon për pagat. Një mjek specialist në Gjermani paguhet 146 mijë euro në vit. Këtë nuk e arrijmë dot.
Interesi kombëtar publik është shëndeti dhe kujdesja për qytetarin e cdo vendi. Na duhet të garantojmë qoftë banorëve të Vicidolit e Konspolit, shëndet publik. Prandaj duhet mjeku e infermieri. Zotëria thotë do dal në protestë sepse dua që me paratë e taksapaguesve të prodhojmë mjekë për Gjermaninë. Ne themi duhet të prodhojmë mjekë për Shqipërinë dhe të garantojmë interesin publik”, tha Balla./albeu.com/


Shtuar 6.07.2023 12:21