Bumi i krimeve të narko-trafikut po i kërcënon demokracitë e Europës

Nga Nicholas Vinocur “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sundimi i ligjit në demokracitë evropiane, rrezikon të minohet nëse liderët e BE-së nuk e rritin ndjeshëm reagimin e tyre ndaj një bumi të nivelit të krimit të lidhur me trafikun e drogës, tha për POLITICO drejtuesja e agjencisë së zbatimit të ligjit të bllokut.

Shefja e Europolit, Catherine De Bolle, thotë se Evropa ka zëvendësuar Shtetet e Bashkuara si tregu kryesor i synuar për trafikantët ndërkombëtarë të drogës, dhe se sasitë e drogës që hyjnë në kontinent, pritet të rritet gjatë 2 viteve të ardhshme për shkak të një teprice në prodhim.

Rezultati është një rritje e dhunës dhe korrupsionit në disa vatra të nxehta të trafikut të drogës, përfshirë portin e Antwerp në Belgjikë, teksa bandat kriminale po synojnë gjithnjë e më shumë të depërtojnë në kompanitë logjistike, qeverisjen lokale dhe madje edhe sistemin gjyqësor, paralajmëro De Bolle.

“Ne po e shohim se Bashkimi Evropian është bërë më i rëndësishëm për kriminelët në krahasim me Shtetet e Bashkuara. Për momentin, vendet evropiane janë në fokusin kryesor. Ne parashikojmë që për 2 vitet e ardhshme të kemi një rritje të sasisë së drogave që hyjnë në Bashkimit Evropian, pasi ka më shumë prodhim”- deklaron ajo.

Paralajmërimi nga De Bolle, ish-drejtuese e policisë federale belge, vjen pasi BE-ja po përballet aktualisht me sfida të shumta ndaj sundimit të ligjit në bllok, përfshirë në vende të tilla si Bullgaria, e cila shtrihet përgjatë një rruge kyçe të importit të drogës nga Lindja e Mesme, dhe ku krimi i organizuar shihet gjerësisht si i ndërthurur me qeverinë.

Por De Bolle thotë se problemi i përkeqësuar i krimit të organizuar të lidhur me drogën në Evropë, nuk vërehet vetëm në Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Ai po godet fort edhe qendrat e pasura në Evropën Perëndimore dhe Veriore, nga Antwerp në Belgjikë në Roterdam dhe Amsterdam në Holandë, në Hamburg në Gjermani dhe portet e vogla në Spanjë dhe qytetet bregdetare të Suedisë.

“Roterdam dhe Antwerp, janë shumë të rëndësishme për grupet kriminale. Por ne po shohim se sa më shumë që angazhohemi të mbikëqyrim portet e mëdha, ka porte më të vogla, si Hamburgu, apo porte në Spanjë, të cilat janë shumë fitimprurëse dhe interesante për trafikantët e drogës”- nënvizon ajo.

Një efekt anësor i menjëhershëm i lidhjes së karteleve që merren me eksportin e drogës nga Amerika e Jugut me grupet mafioze në Evropë, është shtimi i krimeve të dhunshme. “Ajo që është vërtet shqetësuese për ne është rritja e shkallës së dhunës. Dhe jo vetëm e dhunës së zakonshme. Por e vrasjeve me porosi, torturave, shpërthime me bomba, pra një dhunë vërtet e egër dhe me shumë viktima”-tha ajo.

Në fakt, disa vende evropiane janë tronditur vitet e fundit nga vrasjet e profilit të lartë në botën e krimit të organizuar. Në Holandë, ku porti i Roterdamit është një pikë hyrëse kryesore për drogën në Evropë, vrasja brutale në vitin 2021 e një gazetari të shquar të kronikës së zezë, Peter R.de Vries dhe e avokatit Derk Wiersum në vitin 2019 nxiti një reflektim të fortë kombëtar dhe premtimet për të goditur fort bandat e drogës.

Në Belgjikë, selia e institucioneve të BE-së, vrasja e një vajze 11-vjeçare për shkak të përleshjeve të armatosura midis bandave të narko-trafikut në fillim të këtij viti në Antwerp nxiti një protestë të ngjashme, ndërsa policia zbuloi vitin e kaluar një komplot për rrëmbimin e Ministrin e Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, duke çuar në forcimin e masave të sigurisë për të.

“Situata është shumë shqetësuese, por e pritshme”- tha në atë kohë Bart De Wever, kryebashkiaku i Antwerp i krahut të djathtë. Këmbanat e alarmit po bien edhe në Suedi, Spanjë dhe Gjermani, ku De Bolle tha se porti i Hamburgut është kthyer në një destinacion kyç për trafikantët e drogës.

Problemi për liderët e BE-së, është se në secilën prej këtyre vatrave të nxehta, trafikantët po e shkatërrojnë gradualisht sundimin e ligjit duke korruptuar punonjësit e logjistikës, duke vënë nën kontroll sistemet e IT, duke u infiltruar në qeverinë lokale, dhe madje edhe në gjykata dhe polici, shton ajo.

“Ne zbuluam një port ku të gjithë ishin të korruptuar. Nëse braktisim disa zona të caktuara, mund të keni situata vërtet të ndërlikuara ku kriminelët marrin plotësisht kontrollin e situatës”- nënvizon De Bolle, duke refuzuar të përmendë me emër portin.

Nga ana tjetër ajo shton:”Bandat e drogës po depërtojnë në shoqëritë tona… Ata duan të vendosin për çështje të mëdha në shoqërinë tonë. Ndaj nëse duam të shpëtojmë dhe mbrojmë grupet e cenueshme, duhet që lufta ndaj tyre të jetë një prioritet në vitet e ardhshme”.

Megjithëse Evropa nuk është aq e mbushur me fentanil, një opioid sintetik ultra i fuqishëm, që cilësohet si shkaktar i një numri të madh vdekjesh nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga droga (EMCDDA) përdorimi i tij po rritet në Estoni, Suedi, Finlandë dhe Gjermani.

Përballë një situate kaq të përkeqësuar, udhëheqësit e BE-së dhe krerët e institucioneve të zbatimit të ligjit, po i shtojnë përpjekjet e tyre për t’iu kundërvënë lulëzimit të madh të bandave të narko-trafikut. Në vitin 2021, një operacion i madh i koordinuar në shumë vende dhe i fokusuar tek telefonat e koduar çoi në rreth 800 arrestime, shumë prej tyre në Evropë. Dhe krerët e 6 qeverive evropiane – Belgjika, Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Holanda – formuan një koalicion kundër krimit për të shkëmbyer informacione, dhe për të punuar së bashku kundër krimit të organizuar.

Por nëse duan të shmangin humbjen e besimit të qytetarëve tek sistemi, De Bolle thotë se udhëheqësit duhet ta bëjnë një prioritet edhe më të madh luftën kundër krimit të organizuar. “Aktualisht gjendemi në një situatë shumë të vështirë. Jemi prapa në këtë betejë”- thekson ajo. /albeu.com

 


Shtuar 4.07.2023 15:21

Tags: