I riu shqiptar erdhi i pajetë në atdhe, Spanja pranon të kthejë zemrën e Saimir Sulës

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës në Barcelonë mbi çështjen e Saimir Sulës, i cili humbi jetën në një spital spanjoll pasi u shtrua për Covid-19 dhe trupi i tij u tërhoq nga familjarët por mungonte zemra.

Përmes një njoftimi zyrtar Ministria e Drejtësisë konfirmon zyrtarisht se Spanja ka pranuar që ta kthejë zemrën e Sulës dhe se pas një kalvari të gjatë çështja është përmbyllur me sukses.

Ministria e Drejtësisë thotë se pasi janë shqyrtuar të gjitha mundësitë se si mund ta marrin zemrën, ka propozuar që organin ta tërheqin nga Barcelona më 12 korrik 2023, në prani të familjarëve të Sulës, si edhe të përfaqësuesve të Gjykatës së 16 të Barcelonë.

Njoftimi Ministrisë së Drejtësisë

Në lidhje me rastin konkret, prokurori shqiptar kërkoj garanci për ruajtjen e organit dhe prokuroi spanjoll i vuri në dispozicion kopje të vendimit të gjykatës se Barcelonës ku ishte disponuar mosasgjesimi i organit (zemrës) së të ndjerit Saimir Sula nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Më pas pritej vendimi për lejimin e riatdhesimit të zemrës.

Gjykata e Hetimit nr.16 në Barcelonë, mori vendimin dhe e percolli pranë Ministrisë së Drejtësisë në datën 25 Maj 2023. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Tiranës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë zhvilluar komunikime të vazhdueshme për detajet logjistike të kësaj procedure, rruga e transportit ajror, detar apo tokësor, mënyra e transportimit. Autoritet spanjolle në pergjigje të kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë në cilësinë e pikës së kontaktit dhe koordinatorit të këtij procese, kanë dhënë informacion mbi këto detaje logjistike.

Ministria e Drejtësisë ka autorizuar përfaqesuesin e saj nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale dhe Bashkëpunimi Ndërgjygjësor, përfaqesuesin e Insitutit të Mjekësisë Ligjore, Prokuroria ka autorizuar Prokurorin e çështjes, 2 oficerë të policis gjyqësore nga Drejtoria e Marrëdhenieve Juridiksionale me Autoritetet e Huaja dhe përfaqesuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrit.
Të gjithë përfaqësuesit e lartpërmendur me praninë e përfaqesuesit të familjes dhe përfaqesuesve të Gjykatës së 16 të Barcelonës, përfaqësuesin e Institutit Kombëtar të Toksikologjisë së Barcelonës do të kryejnë procedurën e dorëzimit dhe marrjes në dorëzim të organit.

Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020 rreth orës 23:00. Pandemia ishte në fazën fillestare. I riu shqiptar Saimir Sula ka hyrë në Spitalin del Mar (Barcelonë) i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Djali kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test Covid, i cili doli negativ. Ata e futën brenda, ndërsa motra e tij qëndronte jashtë në pritje të rezultateve. Tetëmbëdhjetë orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t’i thënë se vëllai i saj kishte vdekur.

Vdekja e çuditshme u pasua nga një sërë misteresh që familja e viktimës ende nuk i ka sqaruar. E para është se, sipas motrës së të ndjerit, kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord. Majlinda refuzoi sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj që ai nuk i kishte kur ajo hyri dhe argumentoi se trupi do të transferohej në Shqipëri, vendlindja e saj, ku do të kërkonte një autopsi të dytë. Arkivoli mbërriti në Tiranë dhe u krye testi i dytë. Ekipi që e kreu atë lëshoi një raport duke siguruar se trupi kishte mbërritur pa zemër.

Familja kërkoi shpjegime nga Hospital del Mar në Barcelonë për arsyet e vdekjes së papritur të të riut. Dhe denoncuan në Barcelonë pasi në Tiranë theksuan se trupi kishte mbërritur në destinacion pa zemër. Ata kanë vijuar veprimet ligjore./albeu.com/