Zbardhet dëshmia e kushëririt të Gjokë dhe Eduart Gurrës, që u vranë pasditen e djeshme me armë zjarri në Shkodër. Babë e bir po shkonin me fuoristradë në shtëpinë e djegur në Dukagjin, kur disa persona i kanë zënë pritë dhe i kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi duke i lënë të vdekur brenda automjetit. Ngjarja ka ndodhur tek një kthesë e padukshme në një zonë të pyllëzuar, afro 500 metër pa mbërritur tek banesa e djegur e Gjokë dhe Eduart Gurrës.
Kushëriri i dy viktimave Gjokë dhe Eduard Gurra, është marë në pyetje nga policia e Shkodrës, ku për gjatë gjithë natës së djeshme, ai i ka treguar hetuesve të policisë, se çfarë kishte ndodhur nga mesdita e 29 korrik e deri në vijim kur ka dëgjuar të shtënat me armë, raporton Ora News. Sipas dëshmisë së kushëririt të viktimave, banesa e Gjokë Gurrës, nuk është djegur një ditë më parë. Flakët e zjarrit dhe tymi, janë parë prej tij në çatinë e shtëpisë, rreth orës 12:00 të mesditës së 29 korrikut.
Sapo ka konstatuar zjarrin, ai ka telefonuar mikun e tij, Gjokë Gurrën, që ndodhej në Shkodër, duke i treguar këtij të fundit se shtëpia po i digjej nga zjarri. Pas këtij njoftimi, Gurra i ka kërkuar kushëririt që të mundohej të fikte zjarrin, dhe se ka dyshuar se shkak për rënien e flakëve në banesën e tij, mund të jenë bërë dy panelet diellore që ai kishte vendosur mbi çatinë e shtëpisë.
Nisur nga kjo situatë, Gjokë së bashku me djalin e tij Eduard Gurra, me një mjet foristradë kanë udhëtuar drejt fshatit të origjinës, me shpresën e shuarjes së zjarrit. Por në dëshminë e kushëririt të tyre, ai ka pohuar se teksa mundohej të shuante zjarrin, ka dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, që erdhën nga ana e hyrjes së fshatit Sumë.
Ka braktisur punën në shtëpinë që po digjej dhe është nisur drejt zonës, nga erdhën të shtënat me armë. Siç tregon A.Gurra, një veprim të tillë e kishte kryer pasi ishte bërë kurioz se çfarë mund të kishte ndodhur dhe kush kishte qëlluar disa herë me armë.
Për gjatë rrugës 15 minutëshe që ka përshkuar, ai ka treguar se diçka të keqe kishte parandjerë. Dhe kur ka kaluar kthesën, ka vënë re se makina e kushërnjve të tij ishte e qëndruar në mes të rrugës dhe brenda saj, ndodheshin të gjakosur Gjokë dhe Eduard Gurra.
Menjëherë kushëriri i viktimave ka marë në telefon policinë, duke e njoftuar për ngjarjen e rëndë. Ndërsa i pyetur se kush e kishte bërë vrasjen, Gurra, ka rrëfyer se nuk ka parë asnjë person të armatosur dhe jo të armatosur rreth zonës së krimit. Njëherësh Gurra, ka rrëfyer se nuk dinte asgjë se në çfarë rrethanash kishte rënë zjarri në shtëpinë e Gjokë Gurrës, duke mos e qartësuar nëse ishte zjarr i qëllimshëm apo aksidental.
Ditën e sotme një grup ekspertësh të policisë zjarrfikëse kanë shkuar në banesën e djegur, për të mësuar dhe nxjerë shkaqet kryesore të rënies së zjarrit në banesë.
Pistat kryesore të hetimeve të policisë
Një prej pistave kryesore të këtij hetimi lidhet me dhënien e informacionit të shtetasit Gjokë Gurra për policinë e shtetit në aksionet për asgjësimin e kanabisit në zonën e Dukagjinit. Gjokë Gurra para afro 20 vitesh ka qenë efektiv policie por ka ruajtur kontaktet dhe marrëdhëniet me ish-kolegët. Sipas burimeve, 57-vjeçari herë pas here ka informuar policinë e Shkodrës lidhur me parcelat e kultivuara me kanabis sativa në Dukagjin. Kjo mbetet ende një pistë hetimi e pakonfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë një tjetër pistë hetimi ku është përqendruar policia janë edhe lëndët drusore ku babë e bir që mbetën të vrarë punonin prej vitesh duke i transportuar nga Dukagjini drejt Shkodrës, edhe pse kjo pistë është më pak e besueshme për grupin hetimor. Ndërkohë nuk përjashtohen edhe konflikte të tjera që Gjokë Gurra dhe djali i tij mund të kenë pasur me persona të ndryshëm. 52-vjeçari ishte edhe pronar i një lokali në afërsi të drejtorisë vendore të policisë Shkodër, ku edhe banonte prej vitesh.
Autorët e kësaj ngjarje ende nuk janë identifikuar dhe policia po punon për identifikimin dhe gjetjen e tyre. Zbardhja e ngjarjes mbetet e vështirë për shkak se forcat e policisë kanë mbërritur pas 2-3 orësh sepse rruga është e amortizuar në një terren të vështirë malor, çka i ka favorizuar autorët që të kryejnë vrasjen dhe të largohen në drejtim të paditur./Albeu.com.